Rusia bombardon “zonën e sigurt”, Ukraina akuzon: Po sulmon gratë dhe fëmijët

Përditësuar më: 18/3/2022, ora 15:17

Rusia bombardon “zonën e sigurt”, Ukraina akuzon: Po sulmon gratë dhe fëmijët

Përditësuar më: 18/3/2022, ora 15:17

Rusia zgjeron ofensivën në pjesën perëndimore të Ukrainës. 6 raketa u lëshuan në drejtim të qytetit Lviv, 2 prej të cilave u shkatërruan nga forcat ukrainase. 4 të tjera shënjestruan një zonë ku riparoheshin avionët, duke shkatërruar një godinë pranë aeroportit. Nga ky sulm nuk ka pasur viktima.

“Sulmet e armikut kundër qytetit Lviv janë një tjetër provë se nuk dëshiron të luftojë trupat e Ukrainës, por popullatën, fëmijët, gratë dhe refugjatët. Nuk ka asgjë të shenjtë për ata”, tha Maksym Kozytskyy, guvernator i Lviv.

Ushtria ukrainase njoftoi se raketat janë lëshuar nga Deti i Zi nga disa avionë bombardues të Rusisë. Lviv është vetëm 80 km larg kufirit polak, shumë larg zonave të betejës në Ukrainë dhe konsiderohej një zonë e sigurt. Bombardime dhe luftime janë raportuar edhe në qytete të tjera. Autoritetet lokale në Kiev akuzojnë ushtrisë ruse se po shënjestron qëllimisht shkolla dhe godina banimi.

“Armiku vazhdon të sulmojë kryeqytetin. Sot në mëngjes, zona e banimit në lagjen Podolsku u bombardua nga përbindëshat, të cilët goditën gjashtë shtëpi, kopshte dhe një shkollë. Një person vdiq, 19 u plagosën, përfshirë katër fëmijë”, tha Vitali Klitschko, kryebashkiak i Kievit.

Të mbijetuarit rrëfejnë tmerrin. “Raketa goditi ndërtesën tonë. Apartamentet janë shkatërruar plotësisht. Nuk e di ku do të jetoj tani dhe kush do të më ndihmojë mua”, thotë Lydmila, banore e Kievit. “Mezi shpëtova gjallë. Jetoja në këtë ndërtesë. Tani besoj se nuk do jetoj më këtu”, thotë një tjetër.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, paralajmëroi mercenarët e huaj që kërkojnë t’i bashkohen ushtrisë ruse se ky do të ishte vendimi më i keq i jetës së tyre. “Një jetë e gjatë është më e mirë se paratë që ndërpresin shkurt jetën tuaj”, tha ai në një videomesazh. Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës njofton se deri më tani, ka vrarë 14 mijë ushtarë rusë. Ndërsa që prej nisjes së luftës, ka shkatërruar 450 tanke, 93 avionë, 112 helikopterë dhe 43 sisteme antiajrore.