25 ditë luftë në Ukrainë, OKB: Mbi 900 civilë të vrarë, 10 milionë të shpërngulur

Përditësuar më: 20/3/2022, ora 17:23

25 ditë luftë në Ukrainë, OKB: Mbi 900 civilë të vrarë, 10 milionë të shpërngulur

Përditësuar më: 20/3/2022, ora 17:23

Të paktën 902 civilë janë vrarë në Ukrainë që prej nisjes së ofensivës ruse në 24 shkurt, bën të ditur zyra e OKB për të drejtat e njeriut. Megjithatë agjencia beson se bilanci real është shumë më i lartë.

Sipas Prokurorit të Përgjithshëm në Ukrainë, 112 fëmijë janë mes viktimave të shkaktuara nga trupat e Vladimir Putin. Dramatik edhe bilanci i atyre që janë zhvendosur nga banesat në 25 ditë luftë.

Shefi i Agjencisë së OKB për refugjatët, Filipo Grandi,  tha të dielën se 10 milionë njerëz ose më shumë se çereku i popullsisë ukrainase janë zhvendosur nga banesat e tyre për shkak të luftës shkatërruese të Rusisë. Sipas UNHCR-së, 3.3 milionë ukrainas janë larguar jashtë vendit që prej nisjes së ofensivës ruse, 60 mijë prej të cilëve vetëm të shtunën.

rreth 90 përqind e atyre që kanë kërkuar strehim në shtetet fqinje janë gra dhe fëmijë.  Agjencia e OKB-së thotë se mbi 1.5 milion refugjatë janë fëmijë, ndërsa paralajmëron se rreziku I trafikimit të qenieve njerëzore është real.

Mbi gjashtë milionë persona besohet se janë të zhvendosur brenda Ukrainës. Para konfliktit, Ukraina kishte një popullsi prej 37 milionë banorësh, pa llogaritur popullsinë në gadishullin e aneksuar të Krimesë, dhe në dy rajonet lindore separatiste.