Bombardime në Kiev, Ukraina refuzon ultimatumin e Moskës: Mariupol nuk dorëzohet

Përditësuar më: 21/3/2022, ora 11:49

Bombardime në Kiev, Ukraina refuzon ultimatumin e Moskës: Mariupol nuk dorëzohet

Përditësuar më: 21/3/2022, ora 11:49

“Do të luftojmë deri në ushtarin e fundit”! Kështu i është përgjigjur Ukraina ultimatumit të Moskës, për të dorëzuar qytetin e rrethuar të Mariupol, në këmbim të një korridori të sigurt për ushtarët dhe civilët atje.

Sipas propozimit të Rusisë, të parashtruar të dielën, nga gjenerali Mikhail Mizintsev, ndihmat humanitare do të lejoheshin të hynin në qytetin e rrënuar e qytetarët do të mund të largoheshin prej andej nëse mbrojtësit e tij do të ulnin armët. Do të lejoheshin ndihmat humanitare dhe kalimi i furnizimeve të tjera.

Por Kievi refuzoi kategorikisht duke thënë se dorëzimi i qytetit strategjik ishte jashtë diskutimit. Rreth 300 mijë vetë besohet se janë të bllokuar në kushte të mjerueshme, ndërsa 90 për qind e godinave thuhet të jenë dëmtuar nga sulmet ruse.  

Disa mijëra vetë kanë arritur të evakuohen, por autoritetet në Mariupol ngrënë akuzat se shumë qytetarë janë dërguar me forcë në Rusi.

Orë tmerri kanë përjetuar qytetarët e Kievit mbrëmjen e së dielës, kur një qendër tregtare dhe një numër banesash u goditën nga sulmet ruse në distriktin e Podilski.

Një seri shpërthimesh të forta u shënuan pas orën 22:30, me pasojë vdekjen e të paktën 8 personave. Një krater disa metra i thellë, u krijua në zonë.

Rusia vijon përpjekjet për të hyrë në Odessa dhe mëngjesin e së hënës, ka sulmuar me breshëri qytetin strategjik përmes dy luftanijeve të pozicionuara pranë portit. Siç thuhet, forcat e armatosura ukrainase janë kundërpërgjigjur duke larguar anijet nga bregu.

Situatë alarmante në Sumy ku ka raportime për rrjedhje amoniaku në një impiant kimik. Autoritetet thonë se një cisternë 50-tonëshe me gaz helmues u dëmtua pasi kompleksi i Sumykhimprom u godit nga një prej raketave ruse që krijoi re amoniaku.