Trupat ruse qëllojnë ndaj protestuesve në qytetin e pushtuar

Përditësuar më: 21/3/2022, ora 15:31

Trupat ruse qëllojnë ndaj protestuesve në qytetin e pushtuar

Përditësuar më: 21/3/2022, ora 15:31

Ushtarë rusë janë filmuar duke qëlluar mbi protestuesit në qytetin jugor ukrainas, Kherson, të marrë nën kontroll prej disa ditësh. Në këtë qytet, janë zhvilluar disa herë protesta kundër pushtuesve rusë, por këtë herë, nga pamjet e shpërndara në rrjetet sociale, forcat ruse kanë përdorur armët e zjarrit dhe tymuese për të shpërndarë turmën.

Edhe pse Rusia pretendon se nuk po sulmon civilët në Ukrainë, sa më shumë kalojnë ditët, aq më e pabesueshme bëhet kjo deklaratë. Bombardime në zonat e banuara u bënë edhe në Odessa, qytetin-port më të rëndësishëm të Ukrainës, të cilin rusët duan ta marrin me çdo kusht.

Ndërkohë, prej ditësh vijon rrethimi i Kievit, ndërsa në Mariupol, një tjetër qytet jugor, në kufi me Rusinë, autoritetet lokale refuzuan kërkesën e Rusisë për t’u dorëzuar, edhe pse janë nën bombardim të vazhdueshëm.

Sipas OKB-së, mbi 900 persona civilë kanë humbur jetën, por shifra mund të jetë shumë herë më e lartë. Zyrtarët lokalë në Mariupol thonë se vetëm në qytetin e tyre, numri i viktimave civile mund të jetë mbi 20 mijë.