Deklarata e Peskov për armët bërthamore, Pentagoni: E rrezikshme

Përditësuar më: 23/3/2022, ora 11:35

Deklarata e Peskov për armët bërthamore, Pentagoni: E rrezikshme

Përditësuar më: 23/3/2022, ora 11:35

Pentagoni dënoi deklaratën e zëdhënësit të Kremlinit, Dmitri Peskov, se Rusia do të përdorte armët bërthamore në rastin e një kërcënimi ekzistencial.

Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby i cilësoi komentet si të rrezikshme, por tha se deri më tani nuk kanë parë diçka që mund t’i çojë drejt ndryshimit të pozicionit parandalues strategjik.

“Retorika e Rusisë është e rrezikshme. Kjo nuk është mënyra se si duhet të veprojë një fuqi bërthamore”, tha John Kirby.

Në një intervistë ekskluzive për Christiane Amanpour të CNN, Peskov nuk përjashtoi mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore në mesin e tensioneve me Perëndimin për luftën në Ukrainë. Kjo, sipas tij, do të ndodhte vetëm në rastin e një kërcënimi ekzistencial.

“Ne kemi një koncept të sigurisë së brendshme dhe ai është publik. Mund t’i lexoni të gjithë arsyet përse mund të përdoren armët bërthamore. Kështu nëse ka një kërcënim ekzistencial për vendin tonë, ato mund të përdoren”, u shpreh Peskov.

Rusia është vendi me më shumë testata nukleare në botë dhe presidenti Putin urdhëroi vendosjen e këtyre armëve në gatishmëri të lartë pas nisjes së ofensivës në Ukrainë. Në intervistën për Amanpur, Peskov tha se operacioni special në Ukrainë, siç e quan Moska, po shkon sipas planit dhe se ende nuk e ka arritur qëllimin e tij.

“Objektivat e operacionit special nuk janë përmbushur ende. Qëllimi kryesor është të eliminojmë potencialin ushtarak të Ukrainës dhe prandaj po qëllojmë pozicione ushtarake, jo civilë. Së dyti, duam të sigurohemi që Ukraina të bëhet një vend neutral. Së treti, të eliminojmë batalionet nacionaliste që po përdorin qytetarët si mburoja. Dhe së fundmi të sigurojmë që Ukraina të pranojë se Krimea është pjesë e Rusisë dhe republikat e pavarura të Luhansk dhe Donetsk janë të pavarura”, përfundoi Peskov.