Jahte, avionë, vila marramendëse e stadiume futbolli, lista e gjatë e pasurive të oligarkëve të Putinit

Publikuar më: 24/3/2022, ora 13:56

Jahte, avionë, vila marramendëse e stadiume futbolli, lista e gjatë e pasurive të oligarkëve të Putinit

Publikuar më: 24/3/2022, ora 13:56

Të vërtetosh pronësinë e jahteve, pallateve dhe avionëve të oligarkëve rusë nuk është e lehtë, pasi pronarët e tyre shpesh mundohen t’i mbajnë të fshehura. Që prej nisjes së luftës në Ukrainë, SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe vendet e Perëndimit, kanë vendosur sanksione të ashpra edhe ndaj këtyre supermiliarderëve. OCCRP (Organized Crime and Corruption Reporting Project) dhe partnerët e saj, gjurmuan të dhëna të ndryshme për të gjetur asetet që u përkisnin figurave kyçe, të afërta me Vladimir Putin. Pjesë e listës janë gjithashtu asete në pronësi të familjarëve të këtyre oligarkëve.

Më poshtë do të rendisim pesë nga oligarkët më të pasur rusë, ndërsa në fotogaleri do të gjeni disa nga asetet marramendëse, në pronësi të tyre të drejtpërdrejtë ose të të afërmve të tyre.

Roman Abramovich

Biznesmen dhe oligark miliarder

Vlera minimale e njohur e aseteve 8 055 989 267 dollarë

Një figurë e rëndësishme në Rusi që nga fundi i viteve 1990, Abramovich ka qenë deputet dhe guvernator i rajonit Chukotka, nga viti 2000 deri në 2008. Si një nga njerëzit më të pasur të Rusisë, ai e ngriti pasurinë e tij duke blerë asete të naftës ruse gjatë valës së privatizimit që pasoi fundin e Bashkimit Sovjetik. Para se të sanksionohej në mars 2022, pasuria e tij neto u raportua të ishte 12.3 miliardë dollarë.

Gjithsesi, ai u bë i njohur si pronar i Klubit të Futbollit Chelsea, të cilin njoftoi se do ta shiste sapo nisi pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia. Abramovich ka mohuar me forcë akuzat se është i afërt me presidentin rus Vladimir Putin dhe qeverinë e tij.

Alisher Usmanov

Biznesmen miliarder dhe oligark

Vlera minimale e njohur e aseteve 3 434 052 500 dollarë

I lindur në Uzbekistan, Usmanov, dihet se është i afërt me presidentin rus Vladimir Putin, me të cilin dyshohet se ka lidhje financiare, si dhe me ish-presidentin Dmitry Medvedev, i cili thuhet se ka përfituar nga përdorimi i rezidencave luksoze të Usmanov.

Disa senatorë amerikanë e kanë përshkruar atë si “një nga oligarkët më me ndikim politik në Rusi, me lidhje të ngushta me Kremlinin”. Një përfaqësues i Usmanov tha për OCCRP, se ai kurrë nuk ka përfituar nga qeveria ruse dhe as nga privatizimi i aseteve shtetërore, dhe se kapitali i tij është rritur vetëm përmes investimeve transparente dhe menaxhimit të aseteve.

Genadi Timchenko

Biznesmen dhe oligark miliarder

Vlera minimale e njohur e aseteve 70 500 000 dollarë

Një mik prej kohësh i Putinit, i cilësuar edhe si një nga të besuarit e tij, Timchenko është oligarku i gjashtë më i pasur i Rusisë. Ai bashkëthemeloi një nga kompanitë më të mëdhaja të naftës së papërpunuar, Gunvor, i cili deri vonë tregtonte pjesën më të madhe të naftës ruse dhe është aksioner në Bank Rossiya.

Kanë qarkulluar zëra se Timchenko është i lidhur financiarisht me Putinin. Sipas Departamentit Amerikan të Thesarit, i cili e sanksionoi atë për këto lidhje në vitin 2014, “aktivitetet e Timchenkos në sektorin e energjisë kanë qenë të lidhura drejtpërdrejt me Putinin”. Putini ka investime në Gunvor dhe mund të ketë akses në fondet e Gunvor.

Oleg Deripaska

Biznesmen dhe oligark miliarder

Vlera minimale e njohur e aseteve 5 708 521 772 dollarë

Sipas kabllogrameve diplomatike amerikane të zbuluara në vitin 2006, manjati i aluminit dhe aleati i ngushtë i presidentit rus, Vladimir Putin, me të cilin thuhet se presidenti rus takohej rregullisht. SHBA-ja gjithashtu beson se ai ka pastruar para në emër të presidentit.

Ai është akuzuar për vite me radhë se ka lidhje me krimin e organizuar. Pas sanksionimit të tij në vitin 2018, autoritetet amerikane thanë se ai ishte akuzuar për kërcënime ndaj rivalëve të korporatave dhe urdhërimin e vrasjes së një biznesmeni.

Sekretari i shtypit i Deripaska-s, tha për OCCRP se ai kurrë nuk ishte përfshirë në ndonjë skemë të paligjshme.

Igor Shuvalov

Zyrtar i lartë rus

Vlera minimale e njohur e aseteve 102 500 000 dollarë

Pasi shërbeu në role të ndryshme të qeverisë ruse që nga fundi i viteve 1990, si ndihmës i Presidentit Vladimir Putin, Shuvalov u bë i njohur kur u emërua zëvendëskryeministër në vitin 2008. Ai qëndroi në këtë pozicion për një dekadë përpara se të largohej nga qeveria, për të marrë kryesimin e korporatës shtetërore, Vnesheconombank.

Stili ekstravagant i jetesës së tij, pasuria private dhe marrëveshjet e shumta me kompani të ndryshme, janë mbuluar në mediat ndërkombëtare. Sipas Fondacionit Kundër Korrupsionit të Alexei Navalny, Shuvalov “ishte thelbësor në krijimin e sistemit të korrupsionit shtetëror, i cili ka arritur të dominojë institucionet e vendit”.