“Putin pritet të ndryshojë taktikë në Ukrainë”

Përditësuar më: 24/3/2022, ora 13:22
Screenshot 3 16

“Putin pritet të ndryshojë taktikë në Ukrainë”

Përditësuar më: 24/3/2022, ora 13:22

Zyrtarë perëndimorë deklarojnë se presidenti rus Vladimir Putin pritet të ndryshojë taktikat në Ukrainë dhe të përqendrojë fuqinë e tij luftuese në lindje të këtij vendi duke braktisur në këtë mënyrë planet paraprake të “operacionit special”.

Kur Rusia nisi sulmin e saj më 24 shkurt në Ukrainë, parashikonte një pushtim dhe përmbysje të shpejtë të qeverisë së saj. Por tashmë në katër javë të plota luftimesh, Rusia është përballur me një rezistencë shumë të fortë dhe po detyrohet të tërhiqet në disa rajone.

Përparimi i ngadalshëm rus me sa duket e ka gjetur të papërgatitur Kremlinin, dhe zyrtarët perëndimorë shprehen se Moska bëri një llogaritje të gabuar katastrofike.

Si e tillë, pritet që Rusia të ndryshojë taktikat e saj ushtarake në Ukrainë dhe në vend të sulmit, të konsolidojë furnizimet dhe përpjekjet e saj logjistike në rajonin lindor të Donbasit.

Duke folur për The Times, një zyrtar perëndimor tha se rezistenca inteligjente e Ukrainës kishte prishur planet e Rusisë, të cilat supozonin se ukrainasit do të lejonin Rusinë të futej në vendin e tyre pa shumë luftë.