Pedagogu nga Kievi flet në A2 CNN: Nuk kam informacione për studentët e mi, jam i frikësuar

Publikuar më: 28/3/2022, ora 21:21

Pedagogu nga Kievi flet në A2 CNN: Nuk kam informacione për studentët e mi, jam i frikësuar

Publikuar më: 28/3/2022, ora 21:21

Situata në Ukrainë, edhe pas një muaji luftimesh, mbetet pak a shumë ajo e ditëve të para. Pavarësisht se kryeqyteti i Kievit për momentin është më i qetë dhe deri diku pa prani ushtrie, situata atje mbetet e tensionuar. Gazetari i A2 CNN, Mariglen Mulla, bisedoi me Sergey Petrenko-n, profesor të universitetit të Kievit, i cili përveç frikës së madhe për jetën e tij, emocion të madh ka kur kujton klasën e tij dhe studentët me të cilët nuk ka asnjë kontakt dhe kjo e bën të ndihet më shumë i humbur sesa vetë situata e luftës.

Ndërkohë, sipas profesorit, shpresat për paqe duken të mëdha, por jo duke i lënë Rusisë pjesë të Ukrainës.

A2 CNN: Përshëndetje Sergeji, si jeni? Së pari, faleminderit që pranuat ftesën për këtë intervistë dhe shpresojmë të jeni të gjithë mirë. Dua t’iu pyes për situatën sot në Kiev, si është gjendja sot, a ka luftime, nevojat humanitare?

Sergey Petrenko: Sot lagjja ime nuk kishte elektricitet, pasi trupat ruse goditën linjat e tensionit të lartë. E gjithë zona ku unë jetoj, në Krat është qëlluar nga raketat ruse, ku një pallat 11-katësh, përballë apartamentit tim, është dëmtuar së tepërmi. Afër Kievit, në disa qytete si Irpin, Butch and Hostomoli, ka pasur gjithashtu luftime, por mesa dëgjova së fundmi trupat ruse janë përzënë nga Irpini. Nuk jemi si qytetet e tjera siç janë Mariupoli, Irpini dhe zona të tjera, pra nuk kemi trupa ruse në Kiev, por në të gjithë Ukrainën ka shumë persona të vrarë dhe plagosur.

A2 CNN: Nga informacionet që ju dispononi, si zhvillohen konkretisht luftimet atje, pra si po ju i luftoni ju rusët, pasi pamjet më të zakonshme që shohim janë pritat me antitank dhe lufta guerile?

Sergey Petrenko: Disa njerëz i janë bashkuar ushtrisë apo kanë formuar njësitë e mbrojtjes dhe të tjerë përpiqen të luftojnë me mënyra diplomatike. Prandaj edhe unë e pranova ftesën për intervistë, për të treguar të vërtetën, sepse rusët po gënjejnë për atë që po ndodh me të vërtetë këtu. Kjo është një luftë e vërtetë dhe njerëz të pafajshëm po vdesin, në rrugë, sepse qëllojnë me raketa. Pak ditë më parë, 1 kilometër nga shtëpia ime, një ndërtesë 16-katëshe u qëllua nga një raketë dhe u dogj e gjitha.

A2 CNN: A mund të na jepni një panoramë të situatës reale atje, nevojave humanitare apo refugjatët dhe ndonjë shifër nëse keni?

Sergey Petrenko: Nga burimet zyrtare dimë që më shumë se 10 milionë njerëz janë larguar nga shtëpitë e tyre dhe 6 deri në 7 milionë të tjerë janë zhvendosur drejt zonave më të sigurta në perëndim të Ukrainës, si Lvivi apo vende të tjera. Disa nga personat që unë njoh janë gjithashtu të shpërndarë jashtë vendit apo në këto zona të sigurta.

A2 CNN: Sergey, si ndihesh realisht tani, a ke frikë, je në rrezik?

Sergey Petrenko: Jam me të vërtetë I frikësuar, Në fillim të luftës nuk isha i frikësuar, por tani që shoh ndërtesa në flakë, ura të hedhura në erë dhe rrugë të shkatërruara, me të vërtetë që kam frikë sepse është një situatë e vështirë. Por ajo që me shqetëson me shumë janë studentët e mi, me të cilët si çdo pedagog, kisha krijuar një lidhje emocionale dhe tani jo vetëm që auditorët janë bosh, por ende nuk e di nëse të gjithë studentët e mi janë në vende të sigurt.

A2 CNN: Çfarë mendoni për bisedimet politike mes jush dhe rusëve këto ditë dhe çfarë prisni prej tyre?

Sergey Petrenko: Nga këto bisedime presim që të vijë paqja dhe të funksionojnë disa nga këto korridoret humanitare në Mariupol, Karkiv, por Rusia dëshiron që Ukraina të kapitullojë dhe territori ynë si Krimea, Donetsk, të jenë ruse, por Ukraina nuk do ta lejojë kurrë këtë, sepse njerëzit që kanë luftuar në këto qytete që përmenda, do të protestojnë dhe ne kurrë nuk do të dorëzohemi. Ne duam që Rusia të paguajë për ato që i kanë bërë Ukrainës dhe të ndalojë menjëherë pushtimin e vendit tonë. Këto ditë kam dëgjuar një vendim të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, më 16 mars, ku gjykatësit kanë vendosur që Rusia të ndalojë menjëherë pushtimin.

A2 CNN: Ne dimë që paqja ka një çmim, jeni gati ta paguani atë?

Sergey Petrenko: Ukrainasit janë gati ta paguajnë këtë çmim, sepse ju e keni parë që ne nuk u dorëzuam për 3 ditë, as për 10 ditë e as për një muaj. Ne do të luftojmë për paqe sepse duam që në këtë mënyrë të mbrojmë të gjithë Europën, pasi nëse Rusia dhe Putini e pushtojnë Ukrainën, ata mund të bëjnë të njëjtën gjë me vendet e tjera si Polonia, Lituania.

A2 CNN: Kemi parë këto ditë që të gjithë ukrainasit e duan Zelensky-n. A është reale kjo? Çfarë mendoni për presidentin?

Sergey Petrenko: Është e vërtetë. Ai është bëre heroi ynë. Në fillim ndoshta jo të gjithë e mbështesnin, por kur ai vendosi të luftojë, e gjithë Ukraina ishte me të.

A2 CNN: Si janë çmimet atje, hidrokarburet, ushqimi…?

Sergey Petrenko: Çmimet e hidrokarbureve janë rritur së fundmi, për shkak të disa bllokimeve të rusëve. Për sa i përket ushqimeve, disa mungojnë. Është e vështirë të gjesh qumësht për shembull, por në përgjithësi nuk ka shumë mungesa. Një litër karburant sot në Ukrainë shitet me 1,4 ose 1,5 euro.

A2 CNN: Dhe pyetja e fundit e kësaj interviste, çfarë mendoni për NATO-n, anëtarët e saj dhe çfarë prisni prej saj.

Sergey Petrenko: E para që kërkojmë është një zonë e ndaluar fluturime që të ndalojmë sulmet nga ajri në qytetet tona, sepse për shembull Ukraina është mirë në luftime në tokë, por është e vështirë për të mbrojtur zona si shkolla, spitale, universitet nga goditjet nga qielli. Edhe armët kundërajrore do të ishin gjithashtu të nevojshme. Më shumë se 600 shkolla dhe universitete janë shkatërruar nga këto raketa. Ne besojmë se çdo gjë do të shkojë mirë dhe do të kemi paqe.