Bisedimet Rusi-Ukrainë, mbahet sot në Turqi raundi i radhës

Përditësuar më: 29/3/2022, ora 09:40
raundi i bisedimeve rusi Ukraine 1280x720

Bisedimet Rusi-Ukrainë, mbahet sot në Turqi raundi i radhës

Përditësuar më: 29/3/2022, ora 09:40

Trupat ruse janë bllokuar në shumë pjesë të Ukrainës, ndërsa delegacionet nga dy vendet do të rifillojnë bisedimet sot në Stamboll.

Po cilat janë zhvillimet më të fundit këtë mëngjes në Kiev, të raportuara nga CNN?

Bisedimet në Turqi: Raundi i fundit i negociatave Rusi-Ukrainë, do të mbahet sot në Stamboll me praninë fizike të delegacioneve, sipas autoriteteve ruse dhe turke. Ministri i Jashtëm rus tha se Moska shpreson që takimi “do të arrijë qëllimet tona themelore”. Raundi i fundit i bisedimeve u mbajt pothuajse dy javë më parë, pas negociatave të mëparshme ballë për ballë në Bjellorusi.

Progresi i ngecur: Forcat ruse janë bllokuar në disa pjesë të Ukrainës, duke përfshirë Chernihiv, Mykolaiv dhe Kharkiv, sipas një zyrtari të lartë të mbrojtjes amerikane. Trupat “nuk kanë bërë asnjë përparim në lëvizjen drejt Kievit”, megjithëse luftimet vazhdojnë në periferi të kryeqytetit.

Evakuimet nën kërcënim: Forcat ruse kanë konsoliduar kontrollin rreth qytetit-port juglindor të Mariupolit, me korridoret e evakuimit kryesisht nën kontrollin e tyre, sipas kryebashkiakut të qytetit. Bombardimet disajavore kanë shkatërruar qytetin dhe kanë vrarë një numër të panjohur civilësh. Ata që kanë mbetur, jetojnë pa ngrohje, pa energji dhe pa ujë. “Ne jemi në duart e pushtuesve”, tha kryebashkiaku të hënën, duke kërkuar evakuimin e plotë të të gjithë banorëve.

Çështja bërthamore: Në një intervistë për PBS të hënën, një zëdhënës i Kremlinit përjashtoi mundësinë që Rusia të përdorte armë bërthamore në Ukrainë, duke thënë se Moska do t’i përdorte ato vetëm nëse ekzistonte një kërcënim për ekzistencën e vendit.

Biden për Putinin: Presidenti amerikan të hënën refuzoi të tërhiqej nga komentet për Vladimir Putin, por sqaroi se ishte një opinion, jo një ndryshim në politikën zyrtare. Të shtunën, Biden bëri një koment të improvizuar, duke deklaruar se homologu i tij rus “nuk mund të qëndrojë në pushtet”.

Kriza e refugjatëve: Më shumë se 3.8 milionë njerëz kanë ikur nga Ukraina që nga fillimi i luftës, sipas Kombeve të Bashkuara dhe gjysma e tyre janë fëmijë.