Gjymtimi i ushtrisë ruse në shifra

Përditësuar më: 29/3/2022, ora 17:26
Nje kolone e blinduar e ushtrise ruse e shkaterruar plotesisht nga trupat ukrainase 1132x720

Gjymtimi i ushtrisë ruse në shifra

Përditësuar më: 29/3/2022, ora 17:26

Ndërsa pamjet e tankeve të shkatërruara dhe trupat e ushtarëve rusë të vdekur shtohen dita-ditës, tashmë është bërë e qartë që plani i Kremlinit për një “pushtim të shpejtë” të Ukrainës, ka dështuar.

Mes kaosit të raportimeve mbi humbjet ruse, të cilat vijnë nga një sërë burimesh – shpesh me të dhëna kundërthënëse – A2 CNN parashtron një pasqyrë përmbledhëse dhe të mbështetur në burimet më të besueshme.

Sipas një vlerësimi nga NATO, të datës 23 mars, Rusia mund të ketë humbur deri në 15 mijë trupa në Ukrainë. Në total, deri në 40 mijë trupa ruse, besohet se janë vrarë, plagosur apo kapur rob, sipas Aleancës.

Pamje nga ceremonia mortore e një ushtari rus të vrarë në Ukrainë

Ndërkohë më 21 mars, një tabloid rus publikoi një artikull, ku citohej Ministria e Mbrojtjes së Rusisë, sipas së cilës, gati 10 mijë anëtarë të ushtrisë ruse kishin vdekur në Ukrainë. Artikulli u hoq nga faqja e kësaj medie pas rreth gjashtë orësh, ndërsa gazeta pretendoi se e kishin sulmuar hakerat.

Duke pasur parasysh që këto vlerësime janë publikuar rreth një javë më parë, ekziston një konsensus gjatë 24 orëve të fundit, se të vrarët ndër radhët e ushtrisë ruse, me shumë gjasa kanë arritur vërtet në rreth 15 mijë.

Presidenti rus Vladimir Putin dhe Ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu. Shoigu ka javë që nuk shfaqet në publik

Kjo shifër përbën një humbje të jashtëzakonshme, nëse merret parasysh se trupat ruse të dislokuara për pushtimin e Ukrainës llogariten në rreth 150 mijë. Praktikisht, Rusia ka humbur 10% të personelit të saj ushtarak, ose e thënë ndryshe, ndër çdo 10 ushtarë rusë në front, njëri është vrarë.

Për të ilustruar domethënien e kësaj humbjeje më tej, mund të kujtohet se në 10 vjet luftime në Afganistan, u vranë rreth 15 mijë ushtarë rusë. Gjasat janë që ky numër humbjesh të jetë arritur, në mos tejkaluar, në vetëm një muaj luftime në Ukrainë.

Vaj në pëlhurë: “Vrasja e parë me ‘Stinger’ më 1987”. Piktura kremton helikopterin e parë rus të rrëzuar në Afganistan, pasi goditet me raketahedhësin e krahut “Stinger”. Forcat ajrore ruse po përballet me të njëjtën armë amerikane edhe në Ukrainë.

Duhet qartësuar se institucionet ruse nuk kanë qenë konsistente në publikimin e të dhënave mbi humbjet e tyre në Ukrainë, dhe në ato pak raste kur ka pasur qëndrime mbi humbjet, të dhënat e deklaruara kanë qenë të papërfillshme dhe të pabesueshme.

Humbjet në mjete të blinduara

Humbjet në njerëz nuk janë të vetmet për ushtrinë ruse. Rusia pretendon të ketë dislokuar rreth 10 mijë mjete të blinduara në pushtimin e Ukrainës. Këtu përfshihen tanke, autoblinda, mjete të artilerisë së lëvizshme, njësi kundërajrore dhe të tjera kapacitete mbështetëse të blinduara.

Por, sipas ekspertëve ushtarakë, kjo shifër përfaqëson vetëm numrin teorik të trupave të vëna në dispozicion. Në rastin më të mirë, edhe për ushtritë më të përparuara, mjetet e vendosura në terren, përbëjnë jo më shumë se 90% të totalit në dispozicion. Arsyet lidhen kryesisht me ndërlikimet logjistike.

Autoblindë ruse në flakë

Duke pasur parasysh vështirësitë e hasura në territorin ukrainas, dhe faktin që një pjesë e madhe e makinerisë ushtarake ruse i përket epokës së Bashkimit Sovjetik, pengesat në dislokimin e mjeteve ruse në Ukrainë paraqiten shumë më domethënëse.

Sipas indeksit ushtarak të “Global Firepower” – një platformë që konsiderohet e besueshme nga një sërë mediash prestigjioze, totali funksional i mjeteve ruse, paraqitet në 12 400 tanke dhe rreth 36 000 mjete të tjera të blinduara. Nuk ekziston një numër i besueshëm zyrtar se sa prej këtyre mjeteve janë dërguar në Ukrainë.

Sipas “Oryx”, një platformë e besueshme publike e vlerësimeve të pavarura të inteligjencës ushtarake, humbjet ruse në Ukrainë, deri më 24 mars, llogariteshin të pakën mbi 200 tanke dhe 400 mjete të tjera të blinduara. Këto të dhëna, pasqyrojnë vetëm mjetet e shkatërruara që janë verifikuar përmes materialeve fotografike dhe video që kjo platformë ka arritur të gjejë. Shifra reale mund të jetë shumë më e lartë. Burimet ukrainase pretendojnë se janë shkatërruar apo kapur mbi 2300 mjete të blinduara ruse.

Humbjet e tjera të ushtrisë Ruse

“Oryx” i vlerëson humbjet e mjeteve fluturuese ushtarake të Rusisë në 68 të tilla, ku përfshihen 17 aeroplanë, 35 helikopterë dhe 16 mjete fluturuese pa pilot. Nga ana tjetër, Ukraina pretendon se ka shkatërruar mbi 250 aeroplanë dhe helikopterë rusë. Sipas burimeve të ndryshme të specializuara, Forca ajrore e Federatës Ruse vlerësohet në rreth 4 mijë mjete fluturuese ushtarake të funksioneve të ndryshme.

Helikopter gjuajtës rus i rrëzuar në Ukrainë

Edhe pse humbjet e Rusisë në mjete ushtarake paraqiten të vogla në raport me totalin, nga 1% deri në 5%, në varësi të burimeve, sërish problem nuk janë vetëm numrat. Zëvendësimi i mjeteve ushtarake të humbura në front, sidomos i atyre tokësore, rezulton shumë më i ndërlikuar sesa zëvendësimi i personelit njerëzor.

Përbërja e një batalioni të blinduar taktik rus, ku tanket e vijës së parë, mbështeten nga trefishi i mjeteve të këmbësorisë, të cilat mbështeten nga numra edhe më të mëdhenj mjetesh të artilerisë, mbrojtjes ajrore dhe trupave të tjera plotësuese. Burimi: Ministria e Mbrojtjes së Rusisë

Një infrastrukturë e tërë mbështetëse ekziston për çdo mjet të tillë. Duke shtuar këtu edhe vështirësitë në transport dhe pengesat logjistike në terren, zëvendësimi në kohën e duhur të mjeteve ushtarake, bëhet shpesh i pamundur.

Për shembull, shkatërrimi i një njësie kundërajrore, i ekspozon tanket ndaj sulmeve ajrore. Ndërsa shkatërrimi i pak automjeteve të specializuara që mbajnë karburant apo lubrifikantë, mund të paralizojë një batalion të tërë të blinduar.

Mjete ruse të blinduara të shkatërruara në Ukrainë

Rrjedhimisht, këto humbje dhe vonesa kanë një ndikim domethënës te përparimi i njësive të armatosura ruse, si dhe cenojnë strategjinë tërësore të luftës.

Nuk duhet anashkaluar fakti që në fushatën për pushtimin e Ukrainës, Rusisë i janë vrarë 7 gjeneralë brenda një muaji. Kjo humbje, e paprecedente në vetvete, bëhet edhe më dramatike, nëse merret parasysh që numri total i gjeneralëve rusë të dërguar në front vlerësohet në rreth 20.

Gjeneralët rusë të vrarë, nga e majta në të djathtë: (1) Gjeneral Major Magomed Tushajev, (2) Gjeneral Major Andrei Sukovetski, (3) Gjeneral Major Vitali Gerasimov, (4) Gjeneral Major Andrei Kolesnikov, (5) Gjeneral Major Oleg Mitjaev, (6) Gjeneral Lejtnant Andrei Mordviçev, (7) Gjeneral Lejtnant Jakov Rezantsev.

Komuniteti ndërkombëtar i ekspertëve ka vënë në dukje se këto humbje kanë një efekt të madh në moralin e ushtrisë ruse, ku një pjesë e madhe janë rekrutë pa përvojë në luftime, dhe janë të detyruar të përballen me një vend me të cilin kanë pasur marrëdhënie të afërta historike.