“Njihuni me Alqi Bllakon, ai është dëshmia se po të punosh fort, mund t’i arrish qëllimet e tua në jetë”. Ky është mesazhi me të cilin prezantohej asokohe kandidati për deputet i Partisë Socialiste, në fushatën e zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.
Rrugëtimi politik i Alqi Bllakos nis në vitin 2013, ku në logon e LSI-së, edhe pse vetëm 26 vjeç u emërua Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, pozicion që do të ndikonte drejtpërdrejtë në karrierën e tij të mëvonshme.
Në këtë periudhë, Bllako u mor me procedurat për lidhjen e kontratave për 3 impiante të trajtimit të mbetjeve në Elbasan-Tiranë-Fier, 2 prej të cilave deri më tani, sipas SPAK, përbëjnë një aferë korruptive.
Bllako, ishte i besuari i parë që Ilir Meta mori në Presidencë në 2017-n, kur u zgjodh në krye të shtetit duke e vënë në krye të administratës së institucionit. Pas largimit nga Presidenca, në shkurt 2019, Bllako i bashkohet socialistëve, kohë në të cilën edhe Lefter Koka braktisi LSI-në duke mos djegur mandatin e deputetit. Tranzicioni e gjeti në një pozicion të ri Alqi Bllakon, atë të Drejtorit të Përgjithshëm të Ujësjellës-Kanalizime.
Në vitin 2021, Edi Rama i besoi Alqi Bllakos një vend në kufirin e listës së sigurt për zgjedhjet parlamentare, duke e kandiduar në qarkun e Tiranës. Angazhimi i tij, tërhoqi vëmendjen e presidentit Meta, i cili e sulmoi publikisht 3 ditë para zgjedhjeve. Por, pavarësisht sulmeve, Bllako arriti të zgjidhej deputet me plot 8753vota, duke lënë jashtë parlamentit emra të njohur për socialistët, si Pandeli Majko, e Ervin Bushati.
Akuzat ndaj tij për inceneratorët u intensifikuan dhe më shumë në Kuvend, por Bllakoi quajti ato mashtrime politike. Për të dhënë dëshminë e tij, Bllako u thirr në SPAK, në 18 shkurt 2022, ndërsa4 ditë më vonë u paraqit si dëshmitar edhe në Komisionin hetimor për inceneratorët, ku refuzoi të përgjigjej.
Arrestimi i tij mund të jetë çështje kohe ndërsa tërheqja nga mandati do të rikthente në parlament Pandeli Majkon, i cili renditej i 19-ti në listën e kandidatëve për deputetë në Tiranë. (A2 Televizion)