Inceneratorët, si u ngrit afera korruptive?

Përditësuar më: 30/3/2022, ora 22:34

Inceneratorët, si u ngrit afera korruptive?

Përditësuar më: 30/3/2022, ora 22:34

Prokuroria e Posaçme kërkoi arrestimin e deputetit socialist Alqi Bllako. SPAK e akuzon atë për falsifikim të dokumenteve për inceneratorin e Fierit, në bashkëpunim me ish-ministrin e atëhershëm, Lefter Koka, në kohën kur ishte sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit.

Sipas prokurorisë së Posaçme, dy ish-zyrtarët e lartë akuzohen për “shpërdorim të detyrës”, “korrupsion” dhe “pastrim parash”. Ata dyshohet të kenë shkelur ligjin gjatë procedurës së dhënies së koncesionit, si edhe kanë përfituar qindra milionë lekë ryshfet, për të favorizuar kompaninë “Integrated Technology Waste Treatment Fier” shpk si fituese të kontratës. Jo vetëm kaq, por dyshohet se kanë mashtruar edhe qeverinë, teksa propozuan shpronësimin e truallit prej 111 mijë m2 në Fier ku do të ndërtohej inceneratori.

SPAK pretendon se ish-ministri Koka, ish-sekretari i përgjithshëm Bllako dhe Kryetari i Komisionit të Shpronësimit, Pëllumb Abeshi, kanë paraqitur dokumente false në Këshillin e Ministrave, duke pretenduar se toka ishte “tokë truall”, në një kohë që në të vërtetë ishte “tokë arë”.

Bazuar në dokumentet false, qeveria ka lëvruar fondin prej 46 milionë lekë të rinj për shpronësimin, duke shkaktuar gati 16 milionë lekë dëm në buxhet. Për mënyrën e lëvrimit të fondeve shtetërore për korrupsionin në Inceneratorin e Fierit kompania koncensinare “Integrated Technology Ëaste Treatment Energy” sh.p.k. dhe kompania zbatuese “Integrated Technology Services” sh.p.k. kanë përdorur një skemë të njëjtë me atë të Inceneratorit të Elbasanit.

Pagesat për punët e pakryera janë marrë nga kompani që kontrolloheshin në mënyrë të tërthortë nga ish-ministri i Mjedisit Koka, ose nga njerëz të afërt të tij. Sipas SPAK, shuma e përfituar si ryshfet nga ish-ministri Koka është gati 1,4 milionë euro, ndërsa ajo e përfituar nga deputeti Alqi Bllako 16 milionë lekë të rinj.

Masa e re “arrest në burg” iu komunikua Kokës në qelitë e burgut. Për llogari të të njëjtit hetim u caktua një masë tjetër “arrest në burg” për biznesmenin Klodian Zoto, ende i paarrestuar, për Arenc Myrtezanin, administratorin e Inceneratorit të Fierit, si edhe për tre ish-anëtarë të Komisionit të Prokurimit të Inceneratorit.

Paraditen e së martës, u ekzekutuan edhe 5 masa të tjera sigurie lidhur me akuzë për Inceneratorin e Elbasanit. Njëkohësisht, me kërkesë të SPAK, gjykata e Posaçme vendosi në sekuestro preventive 3 mijë m2 truall të ish-ministrit Koka, me vlerë prej 146 milionë lekë në total dhe një apartament të Alqi Bllakos, në emër të babait të tij, me vlerë 144 mijë euro, vlerë e përafërt me atë të dyshuar si të përftuar si ryshfet prej tij. Me vendim gjykata ngrinë shoqëritë e përfshira në koncesion dhe pasuritë e tyre, si edhe pasuritë me vlerë 2 milionë euro të të akuzuarve për inceneratorin e Elbasanit, mes të cilave, 14 apartamente dhe 3 njësi tregtare.