Kapet Nuredin Dumani, u arrestua pasi tentuan ta ekzekutonin në Elbasan

Publikuar më: 30/3/2022, ora 09:50

Kapet Nuredin Dumani, u arrestua pasi tentuan ta ekzekutonin në Elbasan

Publikuar më: 30/3/2022, ora 09:50

I kërkuari prej disa vitesh si një ndër personat më të rrezikshëm, fati e deshi që të arrestohej pasi dështoi një atentat për eleminimin e tij.

Nuredin Dumani është prangosur nga forcat RENEA, të cilat e kanë gjetur në një apartament në lagjen “Apollonia” të Fierit. Në fakt, ndjekja dhe angazhimi i policisë kanë ardhur pas një atentati të dyshuar të dështuar ndaj Dumanit, në aksin rrugor Cerrik-Elbasan.

Pikërisht nga këtu, mësohet se ka nisur ndjekja policore ndaj të shumëkërkuarit, i cili është ndaluar më pas në Fier, ku është gjetur i plagosur me armë zjarri. Arrestimi i Dumanit pritet të sqarojë disa ngjarje kriminale, ku ky person dyshohet se ka qenë i implikuar drejpërsëdrejti. Duke nisur që në grabitjen e bujshme në pistën e aeroportit të Rinasit të disa miliona eurove dhe për të pasuar me vrasjen e katër personave në Durrës, si dhe ekzekutimin në Elbasan të Bujar Çelës, vëllait të një prej ish-bashkëpunëtorëve të Dumanit, Tao Çelës.

Edhe prokurori i Elbasanit, Kreshnik Ajazi pranoi faktin se arrestimi i Dumanit pritet t’i japë një dinamikë të re hetimit të disa dosjeve, jo vetëm në Prokurorinë e Elbasanit, por edhe në prokurori të tjera të vendit.