Sondazh: Sa ju kanë funksionuar dietat e shpejta pranverore?
  • Gjithmonë 18%
  • Me raste 45%
  • Asnjëherë 36%

Mariupol, qytet fantazmë. Edhe Irpini, i shkatërruar

Nga A2 CNN
30 Mars 2022, 13:00 | Bota
Mariupol, qytet fantazmë. Edhe Irpini, i shkatërruar

Blloqe të tëra ndërtesash në Mariupol, janë fshirë plotësisht. Një nivel shkatërrimi i paparë deri më tani në qytetin e rrethuar të Mariupolit. Është kompania teknologjike Maxar që ofron një vështrim të parë satelitor të asaj që ka ndodhur në qytetin thuajse inekzistent, ndërsa mungesa e komunikimit në qytet e bën të vështirë sigurimin e pamjeve, përveçse nga propaganda ruse.  

Imazhet konfirmojnë se dhjetëra shpërthime kanë ndodhur brenda dhe rreth Mariupolit, me thuajse të gjitha godinat të dëmtuara nga sulmet e shumë të shkatërruara plotësisht. Mijëra banorë thuhet të jenë vrarë atje, ndërsa analistët besojnë se Moska është pranë pushtimit të plotë të qytetit.

Në një telefonatë të zhvilluar me Emmanuel Macron ditën e martë, Presidenti Vladimir Putin kërkoi që nacionalistët që mbronin Mariupolin të dorëzonin armët pa bërë rezistencë në mënyrë që të lejohej evakuimi i qytetarëve të bllokuar atje. Ata që kanë mundur të arratisen nga ferri, flasin për një situtatë përtej të imagjinueshmes: “U larguam nga Mariupoli në 15 mars. Ishte një mrekulli që ia dolëm, pasi të gjithë atë që ishin në makina pas nesh, u qëlluan. Qëndronim në bodrum, pa ujë, ngrohje apo ushqim. Pa asgjë. Burrat përgatisnin ndonjë gjë për të ngrënë për gratë dhe fëmijët në zjarr, mes bombardimeve konstante”. 

Rrënqethëse edhe pamjet që vijnë nga Irpini, i bombarduar egërsisht nga forcat ruse, por që tani është marrë sërish në kontroll nga ushtria e Kievit. Shkretimi i qytezës dëshmon tmerret e luftimeve të ashpra atje. Trupa të civilëve të vrarë shihen nëpër rrugët e mbushura me rrënoja dhe pemë të rrëzuara.

Pavarësisht përpjekjeve të shtuara diplomatike për gjetjen e një zgjidhjeje, Rusia vijon intensivisht bombardimet në zona të ndryshme të Ukrainës. Sulmet janë intensifikuar në qytetet që gjenden pranë rajoneve të kontrolluara nga rusët, Luhansk dhe Donetsk. Godina rezidenciale u shënjestruan në Luhansk, ku raportohet për disa viktima. Të paktën 12 vetë u vranë në qytetin port të Mikolaiv ditën e martë, pasi trupat e Moskës qëlluan një godinë të qeverisë lokale. 

A2 CNN Livestream

Dita jonë