Avioni gjigant kryen fluturimin e parë duke përdorur vaj gatimi si karburant

Përditësuar më: 31/3/2022, ora 23:01
hypatia h d1ae89271241038eba584a9d2c06d8a0 h 38a0781bc1f49e3c23ed2659422d8909 1277x720

Avioni gjigant kryen fluturimin e parë duke përdorur vaj gatimi si karburant

Përditësuar më: 31/3/2022, ora 23:01

Ai është një avion gjigant, me krahë të stërmëdha, por ka mundësinë të bëhet edhe një avion që do të shpenzojë më pak energji se të tjerët. Airbus A380, një “monstër” i vërtetë i qiejve, kreu së fundmi fluturimin e parë, duke përdorur si karburant vaj gatimi.

Avioni realizoi më 25 mars një fluturim testues që zgjati tre orë, që nisi nga aeroporti “Blagnac” në Tuluzë, ku ndodhet edhe selia e kompanisë franceze. Lënda djegëse e përdorur quhet zyrtarisht karburant aviacioni i qëndrueshëm (SAF), dhe përbëhet kryesisht nga vaj gatimi i përdorur dhe yndyra mbeturinash, që i japin energji motorit Rolls-Royce Trent 900 të avionit.

Më pas, më 29 mars, Airbus realizoi një fluturim të dytë me po të njëjtin lloj karburanti, duke fluturuar nga Tuluza në Nisë. Karburanti u sigurua nga kompania “TotalEnergies”.  

Airbus ka testuar edhe herë të tjera përdorimin e këtij karburanti në modele të tjera, në mars dhe në tetor 2021. Kompania shpreson që deri në fund të kësaj dekade ta certifikojë këtë karburant dhe ta përdorë për të gjitha fluturimet komerciale. Sipas rregulloreve në fuqi, Airbus mund të përdorë karburant të përbërë vetëm 50% vaj gatimi dhe pjesa tjetër me karburant tradicional, me bazë vajguri.