”Do të dorëhiqem nga kryesimi i partisë’’, Vucic: Jo sanksione për Moskën, por Ballkani nuk është i rrezikuar

Përditësuar më: 31/3/2022, ora 15:36

”Do të dorëhiqem nga kryesimi i partisë’’, Vucic: Jo sanksione për Moskën, por Ballkani nuk është i rrezikuar

Përditësuar më: 31/3/2022, ora 15:36

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçic, thotë se do të dorëhiqet nga kryesimi i Partisë Përparimtare serbe, pas zgjedhjeve të 3 prillit.

Dhjetë vjet në krye të partisë është një periudhë e gjatë, tha Vucic për të përditshmen serbe Politika. Presidenti serb u shpreh se ishte e pabesueshme që SNS-ja nuk kishte shënuar asnjë humbje nën drejtimin e tij 10-vjeçar, dhe se kishte ardhur koha që dikush tjetër t’i përkushtohet kësaj.

 “Unë do të jem aty gjatë zgjedhjes së Qeverisë dhe me siguri do të ndikojë, aq sa është e mundur në përbërjen e saj. Pastaj, do të largohem nga lidershipi i partisë”, deklaroi Vucic.

Vucic mohoi informacionet se vendi i tij do të vendosë sanksione ndaj Rusisë, pas zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale që do të mbahen më 3 prill.

“Unë nuk ia kam thënë kurrë askujt këtë. Kam biseduar me ministren e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, në prani të njëzet personave, por ajo nuk e ka dëgjuar diçka të tillë nga unë. Janë njëzet dëshmitarë, dhjetë nga Gjermania dhe dhjetë nga ana jonë. Unë kam thënë saktësisht këtë: Nuk ju ofroj garanci për sanksione, pikë; ndërsa për paqen në Ballkan, sa i përket Serbisë, unë ju ofroj garanci”, shtoi presidenti serb.

Serbia është i vetmi vend në rajonin e Ballkanit që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, pas pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt. Vucic, tha po ashtu se paqja në Ballkanin Perëndimor nuk është e rrezikuar, por shtoi se duhet pasur kujdes për ta ruajtur atë.