Përplasja Alibeaj-Berisha, reagon faqja zyrtare e PD në Facebook

Përditësuar më: 31/3/2022, ora 13:08
PD selia 4 1280x720

Përplasja Alibeaj-Berisha, reagon faqja zyrtare e PD në Facebook

Përditësuar më: 31/3/2022, ora 13:08

Pas përplasjes në grupin parlamentar demokrat mes kryetarit të grupit, Enkelejd Alibeajt, dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, ka reaguar edhe Partia Demokratike. Në faqen e Facebook të kësaj partie të menaxhuar nga sekretari i menaxhimit digjital, Endri Hasa, thuhet se vendimi i Gjykatës për Kuvendin e 11 dhjetorit nuk është i formës së prerë dhe PD-ja është në pritje të zbardhjes së vendimit për të bërë ankimim, sipas ligjit, ndërsa pret regjistrimet e Kuvendit të 18 dhjetorit.

“Prej ditësh në Partinë Demokratike një grup personash janë duke vepruar në kundërshtim me ligjin. Kryetari i Komanduar i PD-së, Enkelejd Alibeaj, ka deklaruar edhe sot se të gjitha këto veprime janë të paligjshme. Vendimi i Gjykatës për Kuvendin e 11 dhjetorit nuk është i formës së prerë. PD-ja është në pritje të zbardhjes së vendimit për të bërë ankimim, sipas ligjit. Në të njëjtën kohë, PD-ja ka bërë një kallëzim në SPAK për gjyqtarin Zhukri dhe njëkohësisht po pret rezultatin e inspektimit nga ILD. Nga ana tjetër, PD-ja pret vendimin e Gjykatës për regjistrimin e vendimeve të Kuvendit Kombëtar të datës 18 dhjetor”.

Sipas PD-së vendimet, veprimet, pushtimet nuk e ndihmojnë PD-në dhe nuk i shërbejnë bashkimit dhe as të ardhmes së demokratëve.

“Partia Demokratike do të presë me durim vendimet gjyqësore, ndërkohë që do të fokusohet te hallet e qytetarëve, që sot janë goditur nga korrupsioni i një qeverie që i ka braktisur tërësisht njerëzit.

Partia Demokratike do të zbatojë çdo vendim gjyqësor të formës së prerë. Vendimet, veprimet, pushtimet nuk e ndihmojnë PD-në dhe nuk i shërbejnë bashkimit dhe as të ardhmes së demokratëve. Alternativa jonë e së nesërmes nuk mund të jetë kurrë një alternativë dhune dhe pushtimi apo izolimi nga partnerët tanë euro-atlantikë, me të cilët ia kemi dalë të sigurojmë arritjet më madhore për shqiptarët”, thuhet në njoftimin e PD-së në Facebook.