Rama përsërit: Taksat nuk lëvizin. Ata që kanë më shumë, duhet të mbajnë më shumë barrë

Përditësuar më: 31/3/2022, ora 12:45
rama parlament 1280x697

Rama përsërit: Taksat nuk lëvizin. Ata që kanë më shumë, duhet të mbajnë më shumë barrë

Përditësuar më: 31/3/2022, ora 12:45

Kryeministri Edi Rama, përsëriti në sallën e Kuvendit se nuk do të ketë ulje taksash për karburantet, pasi qeveria ka prioritet për momentin “që të mos lëvizë çmimi i energjisë elektrike” për familjet dhe biznesin e vogël.

“Taksat nuk do të lëvizin, as me fakte alternative të fabrikuara për luftë politike, as me shpifje e as me protesta. Sepse ajo që ka rëndësi për ne është që të mos lëvizë çmimi i energjisë. Nuk do të lehtësojmë ata që kanë më shumë, ata që kanë më shumë, duhet të mbajnë më shumë barrë. Ne duam të lehtësojmë ata që kanë më pak, pensionistë apo familje në nevojë. Këta nuk mund t’i lëmë sot vetëm me pensionin që marrim, prandaj kemi vendosur që t’i japim një bonus të veçantë”, tha Rama.

Në lidhje me energjinë, kryeministri shtoi se “tani nuk flitet më për çmime, por për kufizime”.

“Dje, ministrja gjermane tha se po përgatit planin për të nisur ndërprerjet e furnizimit me gaz nëpër familje. Që do të thotë, kriza po prek shtetin më të fuqishëm të Europës. Ne, kur e lajmëruam atë që po vinte dhe thamë se do të marrim masat përkatëse, as që nuk e imagjinonim që çështja do të ndërlikohej shumë më tepër për shkak të luftës. Ja ku jemi sot, kur kriza energjetike është në një kulm, të cilin bota e konsideron të ngjashëm me krizën e vitit 1974”, u shpreh Rama.