SHBA do të zhbllokojë rezervat e saj të naftës, çmimet në tregjet ndërkombëtare fillojnë të ulen

Përditësuar më: 31/3/2022, ora 14:02
rezeravet e naftes amerikane 1280x720

SHBA do të zhbllokojë rezervat e saj të naftës, çmimet në tregjet ndërkombëtare fillojnë të ulen

Përditësuar më: 31/3/2022, ora 14:02

Shtëpia e Bardhë ka marrë një vendim që mund të qetësojë jo pak tregun ndërkombëtarë të naftës, duke ndihmuar në uljen e çmimeve edhe në Shqipëri.

Sipas burimeve të amerikanes Bloomberg, administrata Biden po mendon të zhbllokojë çdo ditë rreth 1 milion fuçi nafte çdo ditë, që ishin pjesë e rezervave të Shteteve të Bashkuara, prej vitesh të pashfrytëzuara.

Vendimi vjen pikërisht si pjesë e masave që do të mundësojnë uljen e çmimeve në tregun vendas dhe ndërkombëtar pas zhvillimeve në Ukrainë dhe mund të shkojë në total deri në 180 milionë fuçi.

Një sasi deri diku simbolike dhe gjithsesi e pamjaftueshme për të ngopur kërkesën ndërkombëtare, duke parë se nga Arabia Saudite, prodhuesi më i madh në botë, dalin rreth 12 milionë fuçi në ditë, por që do të kishte një domethënie politike të fortë, edhe për shtetet e tjera prodhuese.

Sipas burimeve, presidenti amerikan do të mbajë një fjalim rreth orës 19:30 shqiptare, ku do të flasë për masat që parashikohen për zbutjen e çmimeve.

Ulja e çmimeve gjithsesi erdhi ditën e sotme, ku çmimet WTI, që i referohen naftës teksane, u ulën me 5% në kuotën 102.5 dollarë për fuçi, ndërkohë që lista Brent, që përfshin vendet e Europës së veriut,  u ul me 4.58%, në kuotën 108,2 dollarë.