Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Të rrënuara nga luftimet dhe bombardimet ruse, foto nga objektet fetare në Ukrainë

Nga A2 CNN
31 Mars 2022, 13:24 | Bota

Ukraina ka akuzuar Rusinë se ka dëmtuar ose shkatërruar të paktën 59 objekte fetare, në të gjithë vendin, që nga fillimi i pushtimit të saj. Në listë përfshihet një katedrale ortodokse, një shkollë hebraike dhe kisha famullitare pothuajse të rrafshuara.

Sipas ligjeve ndërkombëtare të Konventës së Hagës, synimi për të bombarduar monumentet historike dhe vendet e trashëgimisë kulturore, është një krim lufte. Megjithatë, Rusia mohon të ketë shënjestruar infrastrukturën civile dhe atë kulturore, por BBC ka identifikuar, përmes fotografive, një numër objektesh fetare që kanë pësuar dëmtime.

Një katedrale e granatuar

Katedralja e Shën Michael u përshkrua nga zyra turistike e Mariupolit si vendi më i bukur në qytet. Duke ofruar pamje panoramike të Detit Azov, kodrave të gjelbra dhe fshatrave bregdetare, katedralja, e hapur në 1997, ka tërhequr një numër të madh adhuruesish dhe vizitorësh. Por pas bombardimeve të pamëshirshme ruse në qytetin-port, kupola e katedrales është shndërruar në një grumbull të gërryer çeliku, me mure të copëtuara dhe dritare të thyera.

Dëmet brenda kishës ortodokse ukrainase në Yasnohorodka

Një kishë e shkatërruar

Një kishë në fshatin e vogël Yasnohorodka, rreth 40 km në perëndim të Kievit, është goditur gjithashtu nga granatimet, thotë Kisha Ortodokse e Ukrainës. Ata thonë se dy predha goditën kupolën e kishës, më 5 mars, duke dëmtuar rëndë edhe kullën e saj. Në dritaret dhe dyert e saj shihen gjurmët e plumbave nga një mitraloz i kalibrit të rëndë. Mes luftimeve të ashpra, rusët vranë gjithashtu një prift nga kongregacioni i fshatit.

Një sinagogë e dëmtuar

Në Kharkiv, një predhë ruse shpërtheu në çatinë e një “Yeshiva” - institucion arsimor i përdorur për studime fetare. Lajmi u bë i ditur nga komuniteti hebre i qytetit në një postim në Facebook. Ndërtesa "Yeshiva" funksiononte gjithashtu si një sinagogë, një shkollë e mesme dhe një konvikt. "Raketa nuk shpërtheu, por bëri një gropë të madhe në çati", tha gruaja e rabinit kryesor të Kharkiv, Moshe Moskovitz.

Sulmi bëri që kreu i Organizatës Botërore të Sinagogës, David Ben-Na'eh, t'i shkruante kryerabinit rus, Berel Lazar, duke iu lutur atij që t'i kërkonte Vladimir Putinit të urdhëronte ushtrinë ruse të ndalonte dëmtimin e sinagogave dhe vendeve të shenjta. "Sinagogat janë një tempull i vogël për popullin hebre kudo. Këto kanë qenë shtyllat kryesore të hebrenjve kudo në botë për mijëra vjet", shkroi ai.

https://a2news.com/2022/03/18/te-kercenuara-nga-bombat-e-putinit-mrekullite-arkitekturore-te-ukraines/

Rusia mohon të ketë goditur qytetin e shenjtë hebre në Ukrainë

Në një fjalim në parlamentin e Izraelit, presidenti i Ukrainës Zelensky, pretendoi se Rusia kishte goditur qytetin Uman, një vend i nderuar nga shumë hebrenj. Zelensky, i cili është hebre, tha se raketat ruse goditën qytetin në ditën e parë të pushtimit në shkurt. Dhjetëra mijëra hebrenj Hasidikë udhëtojnë në Uman çdo Rosh Hashanah (Vit të Ri hebre), për të vizituar varrin e rabinit Nachman të Breslovit, i cili ringjalli lëvizjen Hasidike dhe vdiq në vitin 1810.

Vizitorë hebrenj në Uman të Ukrainës

Moska ka mohuar pretendimin, duke shpërndarë imazhe të tjera duke thënë se ishin forcat ukrainase që ngarkonin armë pranë një sinagoge. “Dua të nënvizoj se forcat e armatosura ruse nuk godasin objektiva civile, si pjesë e operacionit special ushtarak”, tha zëdhënësi i ministrisë ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenkov.

Por komuniteti hebre i Umanit ka hedhur poshtë pretendimet për armë pranë sinagogave. "Të gjitha sinagogat dhe vendet hebraike në Ukrainë përdoren ekskluzivisht për qëllimin e tyre, për të kryer aktivitete fetare ose për të ndihmuar anëtarët e komuniteteve hebraike dhe popullsinë vendase", shkroi Komuniteti i Bashkuar Hebre i Ukrainës në Telegram.

Foto e publikuar nga Ministria Ruse e Mbrojtjes, sipas së cilës, forcat ukrainase ngarkonin armë pranë një sinagoge

Një kishë e rrafshuar

Një kishë në qytetin juglindor të Volnovakha, ka pësuar dëmtime të rënda nga bombardimet ruse. Tempulli i Kishës, i ndërtuar për të nderuar ushtarët ukrainas që vdiqën duke luftuar me militantët prorusë në vitin 2014, është shkatërruar, gjithashtu. Kupola e artë e kishës është e prishur dhe punimet prej druri janë copëtuar.

Guvernatori rajonal i Donetsk ka thënë se Volnovakha, dikur shtëpia e rreth 22 000 njerëzve, "nuk ekziston më". Imazhet satelitore të shpërndara nga Maxar Technologies, të marra para dhe pas sulmit, zbulojnë shkallën e dëmit.

Shkatërrimi i vendeve shpirtërore të Ukrainës ka tronditur thellë komunitetet e saj fetare.

"Është një lloj makthi, nuk mund të gjej asnjë fjalë për ta përshkruar. Është e tmerrshme, është antinjerëzore. Unë nuk e di pse trupat ruse qëllojnë mbi kishat, nëse jemi të krishterë, duhet të kujdesemi për paqen. Është një vend ku njerëzit mund të gjejnë ndihmë, mbështetje. Ne po lutemi për vendin tonë, për secilin ukrainas, për t'i shpëtuar ata."

Sergiy Berezhnoy, një prift nga Kisha Ortodokse e Ukrainës
https://a2news.com/2022/03/04/lufta-ne-ukraine-imazhet-para-dhe-pas-zbulojne-shkaterrimet-ruse/

A2 CNN Livestream

Dita jonë