Zelensky: Rusia të dënohet, po frymëzon vende të tjera për luftë

Përditësuar më: 31/3/2022, ora 14:48
zelenski australi 1280x720

Zelensky: Rusia të dënohet, po frymëzon vende të tjera për luftë

Përditësuar më: 31/3/2022, ora 14:48

“Lufta në Ukrainë po bëhet një rutinë për botën”. Me këto fjalë, presidenti Volodymyr Zelensky, iu drejtua Parlamentit të Holandës, duke nënvizuar se “fatkeqësisht, raportimet e përditshme për numrin e shtëpive të shkatërruara dhe qyteteve të bombarduara, nuk po ngjallin më emocione”.

Kreu i shtetit ukrainas i bëri thirrje deputetëve që të shtojnë sanksionet ndaj Rusisë, të mbyllin portet dhe të ndërpresin blerjen e gazit dhe naftës ruse: “Ne kemi nevojë për armë që të sigurojmë qiejt tanë. Ne kemi nevojë për armë që të dëbojmë pushtuesit nga toka jonë: aeroplanë, tanke, armë kundërajrore, predha, raketa etj. Shpresoj se do të gjeni një mundësi për të na ndihmuar”.

Të njëjtën thirrje për ndihma në armatime, Zelensky e bëri më herët edhe në Parlamentin e Australisë, ku kërkoi që ky shtet të bëhet pjesë në programin për restaurimin e rajoneve të Ukrainës, në veçanti zonat pranë brigjeve të Detit të Zi dhe Azov. Ai kërkoi që Rusia të mbahet përgjegjëse për gabimet e së kaluarës, duke paralajmëruar se dështimi në ndëshkimin e Moskës mund të nxisë vende të tjera të nisin luftëra kundër fqinjëve të tyre.

“Fati i sigurisë globale po vendoset tani. Askush nuk mund të fitojë, që do të thotë se asnjë pjesë e botës nuk mund të shpëtohet nga kontaminimi radioaktiv që do vijë nëse përdoren armë bërthamore”, tha Zelensky.

Presidenti ukrainas, i cili ndërhyri online i ulur në tryezën e tij, me veshjen ikonike tashmë ngjyrë ushtarake, nuk specifikoi se cilat vende mund të frymëzoheshin nga Rusia.

Australia dhe aleatët perëndimorë kanë shprehur shqetësime lidhur me tonet agresive të Kinës drejtuar Tajvanit, pavarësinë e të cilit e kundërshton.