Lavrov: Amerikanët nuk e kanë mbajtur kurrë fjalën

Përditësuar më: 1/4/2022, ora 10:49
lavrov 1178x720

Lavrov: Amerikanët nuk e kanë mbajtur kurrë fjalën

Përditësuar më: 1/4/2022, ora 10:49

Ushtria ruse po i fokuson sulmet e saj në Ukrainë në katër zona, përfshirë kryeqytetin Kiev. Informata vjen nga një zyrtar i lartë i ushtrisë amerikane, që saktëson se mbi 300 bombardime janë kryer vetëm në 24 orët e fundit.

Chernihiv, Izyum në jug të Kharkivit dhe rajoni i Donbasit pritet që të jenë vatra lufte. E ndërkohë vjen konfirmimi që ushtria ruse ka nisur tërheqjen nga Çernobili. Ndërsa në qendrën e Kievit është raportuar një shpërthim i fuqishëm, pavarësisht se Moska po tërheq disa nga trupat e saj nga zonat përreth kryeqytetit në drejtim të Bjellorusisë.

Por, NATO akuzon Rusinë se po mashtron. Jens Stoltenberg, Sekratar i Përgjithshëm i NATO-s, tha: “Sipas inteligjencës sonë, njësitë e Rusisë nuk po tërhiqen, por po ripozicionohen përreth Ukrainës. Rusia po rigrupon, rifurnizon dhe përforcon ofensivën e saj në rajonin e Donbasit”.

Moska i është kundërpërgjigjur skepticizmit të Perëndimit lidhur me qëllimet e saj për paqe. Sergej Lavrov, ministër i Jashtëm i Rusisë, u shpreh: “Unë nuk mund të mendoj apo të fantazoj për presidentin amerikan Joe Biden, ashtu siç nuk mund të fantazoj për Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken. Nëse flasim për atë që fjalët e tyre ndryshojnë nga veprat e tyre, atëherë ka shumë shembuj kur Shtetet e Bashkuara thanë një gjë dhe bënë diçka krejtësisht ndryshe”.

Rusia njoftoi një armëpushim të përkohshëm për evakuimin e civilëve nga Mariupoli. Njoftimi i Moskës u prit me skepticizëm nga Kievi, e megjithatë autoritetet njoftuan se 45 autobusë do të dërgoheshin në qytetin-port, i vënë nën shënjestër të vazhdueshme nga bomabardimet ruse.