Përpjekje për evakuime nga Mariupoli

Publikuar më: 1/4/2022, ora 11:28
mariupol ukraine 1043x720

Përpjekje për evakuime nga Mariupoli

Publikuar më: 1/4/2022, ora 11:28

Përpjekjet për evakuimin e mijëra civilëve të bllokuar në qytetin e kthyer në rrënoja të Mariupolit do të vijojnë të premten, pas raportimeve se forcat ruse kishin bllokuar autobusët e nisur për në zonë një ditë më herët.

Moska tha se do të lejonte korridorët humanitarë pas kërkesës personale të Presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz, për shefin e Kremlinit. 45 autobusë u dërguan në qytetin-port të rrethuar nga rusët, bashkë me një ekip të Kryqit të Kuq ndërkombëtar.

Por, sipas raportimeve, një autokolonë e organizatës bamirëse e cila transportonte ndihma humanitare dhe mjekë për në Mariupol u bllokua në Zaporizhia, pasi garancitë e sigurisë të kërkuara nuk ishin plotësuar.

I kthyer tashmë në vendin më të rrezikshëm në botë, Mariupoli vijon të jetë arenë e përleshjeve të ashpra mes forcave ruse dhe ukrainase, me betejën që është përqendruar në një fabrikë prodhimi, bastioni i fundit i ushtarëve të Kievit. Në një deklaratë mbrëmjen e së enjtes, Presidenti Volodimir Zelenski tha se forcat ruse po rigrupohen dhe janë gati të nisin sulme të mëdha në Donbas dhe jug të Ukrainës, përfshirë Mariupolin: “Pushtuesit po zmbrapsen në veri të Kievit, në rajonin e Sumit, pasi e kuptuan se nuk do të rezistojnë dot. Por, situata në jug dhe në Donbas mbetet ekstremisht e vështirë. Ata po përpiqen të konsolidojnë praninë atje dhe po grumbullojnë potencialin për sulme të fuqishme”. 

Zelenski njoftoi gjithashtu se kishte shkarkuar dy gjeneralë të lartë nga detyra, të cilët i quajti antiheronj dhe tradhtarë. 

Më herët, edhe shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, konfirmoi se trupat e Vladimir Putinit po rigrupoheshin dhe rifurnizoheshin për të dyfishuar sulmet në lindje, njëkohësisht duke mbajtur presionin në Kiev e qytete të tjera. Sipas Britanisë së Madhe, Moska po dërgonte 1200 deri në 2000 trupa shtesë nga Gjeorgjia. Sekretari i Mbrojtjes, Ben Wallace, foli për ndryshim të taktikave të Rusisë dhe jo për tërheqje.

Sakaq, guvernatori rajonal i qytetit rus të Belgorodit, akuzoi helikopterët ushtarak të Ukrainës se kishin sulmuar një rafineri nafte në qytet.