Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Hetimi i inceneratorëve, policia: Bllako u vetëdorëzua. SPAK sqaron procedurat mbi arrestimin e ish-deputetit

Nga A2 CNN
1 Prill 2022, 11:06 | Aktualitet
Hetimi i inceneratorëve, policia: Bllako u vetëdorëzua. SPAK

Alqi Bllako është vetëdorëzuar dhe ndodhet në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Është ky version zyrtar i policisë, pas shumë informacioneve kontradiktore. Njoftimi nga policia u bë mëngjesin e sotëm ku sipas bluve ish-deputeti Alqi Bllako është vetëdorëzuar  pasi gjykata  konfirmoi kërkesën e SPAK për “arrest në burg” dhe po sipas Policisë së Shtetit, Bllako ndodhej ne ambientet e drejtorisë që prej mbrëmjes së djeshme.

Ndërkohë, SPAK sqaron këtë procedurë duke saktësuar se vendimi për caktimin e masës së sigurisë është marrë rreth orës 15:45  të ditës së djeshme dhe është ekzekutuar nga policia rreth orëve të para të mëngjesit të sotëm. Bllako akuzohet për "korrupsion", ''shpërdorim detyre'' dhe ''pastrim parash'', pasi sipas Prokurorisë së Posaçme dyshohet se ka falsifikuar dokumente shpronësimi për një tokë që nga arë ishte kthyer në truall dhe dokumentet e falsifikuara i janë paraqitur Këshillit të Ministrave. Pikërisht mbi këtë tokë do të ndërtohej inceneratori i Fierit. Kjo shkelje, thotë Prokuroria e Posaçme, është bërë në bashkëpunim me ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe kryetarin e komisioneve të shpronësime, Pëllumb Abeshi.

Nga kjo skemë dyshohet se Bllako ka përfituar një shumë prej rreth 149 mijë eurosh, përmes pagesës mujore të babait të tij.

Njoftimi i plotë i SPAK:

Në kuadër të hetimeve të procedimit penal nr.187 të vitit 2020, në Regjistrin e Njoftimit të Veprave Penale në Prokurorinë e Posaçme me datë 18.03.2022, është regjistruar emri i shtetasit Alqi Bllako, lindur në Ersekë dhe banues në Tiranë, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim dhe “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, të parashikuara nga nenet 248, 25 dhe 260 të Kodit Penal.

Me shkresën Nr.2407 Prot., datë 29.03.2022, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme i ka kërkuar Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhënien e autorizimit për arrestimin e deputetit Alqi Bllako. Kërkesa është shoqëruar me dokumentacionin përkatës.

Me shkresën Nr.1274/4 Prot., datë 29.03.2022, ardhur nga Kuvendi, jemi njoftuar se kërkesa për dhënie autorizimi për arrestimin e deputetit Alqi Bllako do të shqyrtohet në mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, që do zhvillohet me datë 30.03.2022, ora 18.00.

Me shkresën Nr.2407/4 Prot., datë 30.03.2022 kemi njoftuar Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë në lidhje me kërkesën e paraqitur në Kuvend për dhënie autorizimi për arrestimin e deputetit Alqi Bllako, duke i kërkuar mbajtjen nën mbikqyrje të deputetit dhe njoftimin e prokurorit të çështjes nëse deputeti do paraqitej në dalje të territorit të Republikës së Shqipërisë.

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, me shkresën Nr.1274/7 Prot., datë 30.03.2022 (ardhur në Prokurorinë e Posaçme në orën 19.40) na ka njoftuar për anulimin e mbledhjes së Këshillit për Rregullore, Mandatet dhe Imunitetin, për arsye se deputeti ka depozituar kërkesën për heqje dorë nga mandati deputetit. Neni 71, pika 2, shkronja “b” e Kushtetutës parashikon se: “…mandati deputetit mbaron kur deputeti heq dorë nga mandati…”.

Me shkresën 2407/6 prot., datë 30.03.2022 (dorëzuar në gjykatë në orën 20.30) nga Prokuroria e Posaçme i është kërkuar Gjykatës së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar caktimi i masës së sigurimit personal “arrest në burg”, për shtetasin Alqi Bllako, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale të parashikuara nga nenet 248, 25 dhe 260 të Kodit Penal.

Me vendimin Nr.26, datë 31.03.2022, Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masën e sigurimit personal “arrest në burg”, për shtetasin Alqi Bllako. Vendimi është vënë në dispozicion të Prokurorisë së Posaçme në orën 15.30 të datës 31.03.2022.
Në orën 15.45, të datës 31.03.2022, vendimi i gjykatës për caktimin e masës së sigurimit ndaj shtetasit Alqi Bllako i është dhënë për ekzekutim strukturave të Policisë së Shtetit. Vendimi është ekzekutuar nga Policia e Shtetit në orën 03.30 të datës 01.04.2022.

A2 CNN Livestream

Dita jonë