“A do të negocionit me Hitlerin?” Polonia dënon “gjenocidin” në Bucha, kritikon Macron

Përditësuar më: 4/4/2022, ora 15:15

“A do të negocionit me Hitlerin?” Polonia dënon “gjenocidin” në Bucha, kritikon Macron

Përditësuar më: 4/4/2022, ora 15:15

E mbarë bota reagon e shokuar ndaj masakrave të ushtrisë ruse në një qytet në rajonin e Kievit në Ukrainë. Polonia e konsideron gjenocid, Franca një provë të qartë të krimeve të luftës, ndërsa BE është gati për sanksione të reja. Makabritetet e ushtrisë ruse në qytetin Bucha të Ukrainës po tronditin mbarë botën.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe qeveria e tij flasin për gjenocid: 410 trupa të gjetur në varre masive, ndërsa dhjetëra të pajetë të tjerë nëpër rrugët e qytetit në verilindje të rajonit Kiev, disa prej tyre dhe me duar të lidhura.

OKB-ja flet për krime të mundshme lufte, ndërsa Këto imazhe alarmuan komunitetin ndërkombëtar që kërkon ndëshkimin e Moskës edhe me më shumë sanksione. Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, masakrat e përgjakshme të ushtarëve të Rusisë në qytetin pranë Kievit, i konsideroi gjenocid dhe kërkoi një gjyq për të dënuar përgjegjësit. “Çdokush që lejon një tjetër tragjedi të tillë, mban gjithashtu përgjegjësi. Nga ky moment, i bëj thirrje liderëve të Bashkimit Europian që të veprojnë me vendosmëri, të ndërmarrin veprime që thyejnë makinerinë e luftës së Putinit”, tha ai.

Morawiecki pati kritika të forta për presidentin francez Emmanuel Macron, i cili ka negociuar për paqe që prej nisjes së luftës me homologun rus, Vladimir Putin, duke i thënë se nuk ka arritur asnjë gjë dhe se nuk ka mundur të ndalojë masakrat në Ukrainë. “Kriminelët duhet të luftohen. Askush nuk negocioi me Hitlerin. A do të negocionit ju me Hitlerin?”.

Macron nuk iu përgjigj kryeministrit polak, por dënoi makabritetet e ushtrisë ruse në Bucha. Kreu i Elizesë kërkoi vendosjen e sanksioneve të reja më të ashpra kundër Moskës duke bllokuar eksportet e saj për në Europë, kryesisht të qymyrit dhe gazit. “Imazhet që vijnë nga Bucha janë të papërballueshme dhe ne të gjithë jemi ekstremisht të shokuar dhe e dënojmë me vendosmëri këtë. Është e qartë se janë shenja të pastra që tregojnë për krime lufte”, tha ai.

Edhe Gjermania dënon masakrat e ushtrisë ruse në Ukrainë dhe bie dakord me ndalimin e importit të gazit rus, teksa njofton se do t’i dërgojmë shumë armë Kievit. BE është gati për sanksione të reja, duke bërë presion për një hetim të gjerë mbi çështjen.