As Gjykata e Lartë nuk e liron nga qelia Lefter Kokën

Përditësuar më: 4/4/2022, ora 16:06

As Gjykata e Lartë nuk e liron nga qelia Lefter Kokën

Përditësuar më: 4/4/2022, ora 16:06

Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ka humbur një tjetër betejë me drejtësinë. Gjykata e Lartë refuzoi kërkesën e tij për lirim nga qelitë e paraburgimit, ku qëndron prej 16 dhjetorit të vitit të kaluar.

Ish-ministri kundërshtoi në Gjykatën e Lartë masën e sigurisë “arrest në burg” të dhënë nga Apeli i Posaçëm në 2 janar, pas akuzave të SPAK ndaj tij lidhur me inceneratorin e Elbasanit. Por një Kolegj Penal i Gjykatës së Lartë vlerësoi të mos e pranojë rekursin, duke e lënë kështu të pandryshuar masën në të cilën po hetohet ish-zyrtari i lartë i Ministrisë së Mjedisit.

Nga ana tjetër, kushtet ligjore në të cilat ndodhet aktualisht Koka, e bënin të pashpresë përpjekjen e tij për liri. Kjo për faktin se, teksa priste seancën në Gjykatën e Lartë, Gjykata e Posaçme caktoi një tjetër masë sigurisë “arrest në burg” për të. Kjo masë u dha ndaj tij për llogari të hetimit të SPAK mbi inceneratorin e Fierit, hetim që çoi në pranga edhe ish-deputetin Alqi Bllako dhe disa ish-zyrtarë të tjerë.

Sipas SPAK, Lefter Koka akuzohet për “shpërdorim të detyrës”, “korrupsion” dhe “pastrim parash”, konsumuar prej tij gjatë lidhjes së kontratës koncensionare të inceneratorit të Elbasanit dhe atij të Fierit. Nga hetimi, rezulton se përveç shkeljeve ligjore, Koka ka përfituar 3,7 milionë euror ryshfet nga inceneratori i Elbasanit dhe gati 1,4 mln euro nga inceneratori i Fierit, në këmbim të favorizimit të padrejtë të kompanive koncensionare.