Njësia 51460, “kasapët” që akuzohen për masakrën që tronditi botën në Bucha

Përditësuar më: 5/4/2022, ora 14:57

Njësia 51460, “kasapët” që akuzohen për masakrën që tronditi botën në Bucha

Përditësuar më: 5/4/2022, ora 14:57

Ndoshta në dekadat e ardhshme, qyteza e Bucha-s, rreth 15 minuta nga kryeqyteti ukrainas Kiev, do të mbahet mend gjatë. Në këtë qytezë anonime, që shërben kryesisht si “hotel” për punëtorë të shumtë që punojnë në Kiev dhe nuk përballojnë dot qiratë e kryeqytetit, ditët e fundit të marsit është kryer ajo që po merr dimensionin e një prej krimeve më brutale nga Lufta e Dytë Botërore në territorin europian.

Si në Srebrenicë, si në Reçak, si në teatrin Bataclan, Bucha do të jetë një nga emrat që do të mbetet si simbol i tragjedisë së luftës dhe i zhvlerësimit të njeriut në këtë lloj situate.  

Varre masive me qindra civilë, përballë kishës ku ata zakonisht luteshin, kufoma në çdo cep, në çdo rrugicë, shpeshherë me duart e lidhura dhe një plumb pas shpine, pasojë e një ekzekutimi me gjak të ftohtë.

“Skenë si në një film horror”, dëshmojnë gazetarët e parë që u dërguan në Bucha, pas tërheqjes së trupave ruse. Por kush janë autorët e kësaj masakre, që po shtyn vendet perëndimor edhe SHBA-në të cilësojnë Vladimir Putin si kriminel lufte?

Sipas disa grupeve aktivistësh në terren, të bazuara në dëshmitë e të mbijetuarve, por edhe në pamjet satelitore, me shumë gjasa lideri i “kasapëve” mund të jetë koloneli Omurekov Azatbek Asanbekovich, që drejton njësinë 51460, pjesë e brigadës së 64-t të artilerisë së motorizuar.

Një njësi që vjen nga skajet më të largëta ruse, Siberinë aziatike, ku panorama është po e njëjtë dhe asgjë nuk ndodh e nuk do të ndodhë ndonjëherë.

Sipas burimeve, njësia 51460 vinte nga fshati Knyaze-Volkonskoye, në territorin e Çabarovskit, sipër Koresë së Veriut.

Dhe pamjet e para që qarkullojnë në rrjet të kësaj njësie, tregojnë pikërisht të rinj me karakteristikat fizike të atyre zonave, teksa valëvisin flamurin e Republikës ruse të Sahasë (ose Jakutia), një territor i stërmadh që kronikat ndërkombëtare e njohin më së shumti për të ftohtin e madh dhe për fildishin e mamuthëve prehistorikë që zbulohet herë pas here nga shkrirja e permafrostit.

Duket e pabesueshme që ato fytyra të qeshura mund të kenë kryer vrasje, përdhunime dhe ekzekutime brutale grash, të moshuarish dhe fëmijësh, por të dhënat tregojnë pikërisht për praninë e kësaj njësie në Bucha. Emrat e tyre po shpërndahen në rrjet nga aktivistët, dhe nuk do të kalojë shumë kohë para se ata të përballen me akuzën e krimeve të luftës.

Ndoshta, është thjesht një rastësi, por nuk mund të mos rrëqethë koincidenca, e hulumtuar nga A2 CNN, që fshati Knyaze-Volkonskoye, ku zakonisht rri njësia, është kryesisht i njohur në mediat ruse për një ushtar të asaj kazerme, Artyom Grabovoi, i njohur si maniaku i Knyaze-Volkonskoye, dhe i akuzuar për përdhunimin dhe vrasjen me metoda brutale të disa grave në vitin 2014.