Sondazh: Sa ju kanë funksionuar dietat e shpejta pranverore?
  • Gjithmonë 18%
  • Me raste 45%
  • Asnjëherë 36%

Putini po ravijëzon botën, por jo ashtu siç do të dëshironte ai

Nga A2 CNN
4 Prill 2022, 12:01 | Bota

Pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka ndryshuar botën. Epoka e sigurisë ka përfunduar dhe ne po jetojmë në një moment të rrallë historik, që mund të transformojë të ardhmen e Evropës.

Në fund të vitit 1989, popujt e Evropës Lindore filluan të ngriheshin në revolta për të rrëzuar diktaturat e tyre. Muri i Berlinit ishte shembur dhe një Evropë e ndarë po bëhej sërish e plotë. Në Pragë, dramaturgu disident, Vaclav Havel, i bërë thirrje për kryengritje një turme prej 400 000 vetash... atë mbrëmje, regjimi komunist ra dhe brenda disa javësh, Havel u bë president i një shteti të ri demokratik. 

Kjo botë që lindi nga revolucionet popullore, “mori fund” kur Putini urdhëroi forcat ruse të hynin në Ukrainë. Kancelari gjerman, Olaf Scholz, e quajti këtë moment një “zeitenwende” (pikë kthese). Kthesë që menjëherë u shënua në historinë e kontinentit të vjetër.

Vaclav Havel në sheshin Wenceslas, Pragë, 24 nëntor 1989

Momente kryesore në historinë e Evropës

- 1789: Revolucioni Francez. Përmbysja e monarkisë, themelimi i Republikës;

- 1815: Kongresi i Vjenës ravijëzon hartën e Evropës, rivendos ekuilibrat mes vendeve dhe sjell dekada paqeje pas trazirave të luftërave të Napoleonit;

- 1848: Nis një valë revolucionesh liberale dhe demokratike në të gjithë Evropën;

- 1919: Traktati i Versajës. Shtetet e reja kombëtare të pavarura zëvendësojnë perandoritë e vjetra shumëkombëshe;

- 1945: Jaltë - fuqitë e mëdha bien dakord të ndajnë Evropën në "sferat e ndikimit" perëndimore dhe sovjetike. Perdja e Hekurt bie në të gjithë kontinentin;

- 1989: Revolucionet demokratike në Evropën Lindore nën regjimin sovjetik rrëzojnë perden e hekurt. Bashkimi Sovjetik shembet dy vjet më vonë. Vladimir Putin e quan këtë ngjarje "katastrofën më të madhe të shekullit të 20-të".

Quentin Sommerville, një nga reporterët e BBC-së, më me përvojë për luftën, gjendet në Ukrainë që prej nisjes së luftës dhe ka një mendim të qartë për atë çka po ndodh. "Nëse këto taktika që Rusia po përdor, nuk janë të njohura për ju, atëherë nuk i keni kushtuar vëmendje."

Po qeveritë e botës demokratike sa vëmendje i kanë kushtuar regjimit të Putinit?

Kanë kaluar dy dekada që kur Putin dërgoi trupa në Gjeorgji, duke pretenduar se po mbështeste rajonet e shkëputura që kërkonin pavarësi. Më vonë, ai dërgoi spiunë në qytetet britanike të armatosur me agjentë nervorë, për të vrarë rusët e mërguar.

Në vitin 2014, ai pushtoi Ukrainën Lindore dhe aneksoi Krimenë. Pavarësisht gjithë kësaj, Gjermania dhe pjesa më e madhe e BE-së, jo vetëm që nuk vepruan, por gjithnjë e më shumë e gjeten veten të varur nga gazi rus. Një vit pas aneksimit të Krimesë, ata madje miratuan ndërtimin e një gazsjellësi të ri, Nord Stream 2, për të rritur furnizimet.

Nga ana tjetër, Mbretëria e Bashkuar ka qenë shtëpia e shumë oligarkëve rusë, të cilët kanë pastruar paratë e tyre, kanë blerë rezidenca luksoze në Londër, si dhe janë shoqëruar me politikanët duke financuar fushatat e tyre. Pak pyetje janë bërë se nga kishte ardhur pasuria e tyre e madhe, e fituar kaq papritur.

Gazsjellësi Nord Stream 2, pranë Lubmin, Gjermani

Pra demokracitë perëndimore nuk i kanë kushtuar vëmendje kërcënimit që rritej në kufirin e tyre lindor, teksa Putini është dukur i kënaqur dhe i qetë në pozicionin e tij.

Së pari, ai besonte se Perëndimi ishte në rënie të vazhdueshme, i dobësuar nga ndarjet e brendshme. Zgjedhjen e Donald Trump dhe Brexit në Angli, ai i pa si provë të kësaj përçarjeje. Rritja e qeverive autoritare të krahut të djathtë në vende si Polonia dhe Hungaria, ishte dëshmi e mëtejshme e shpërbërjes së institucioneve liberale. Tërheqja e SHBA-së nga Afganistani, ishte gjithashtu provë e një fuqie në rënie që po tërhiqej nga skena botërore.

Së dyti, Putini refuzoi të besonte se një seri kryengritjesh demokratike në ish-Republikat Sovjetike: Gjeorgji (2003), Ukrainë (2004-2005) dhe Kirgistan (2005), mund të ishin shprehje të vullnetit popullor. Këto shtete kishin për qëllim largimin e qeverive të korruptuara pro-Moskës, por Kremlinit i dukej se këto ishin vepra të agjencive të huaja të inteligjencës, veçanërisht amerikanëve dhe britanikëve.

"Rusia nuk fillon luftërat, ajo i përfundon ato", lexon një poster, Krime, 10 mars

Së treti, lideri rus, Vladimir Putin, nuk ka arritur të kuptojë saktë forcat e tij të armatosura dhe ecurinë e luftës. Ajo që ai kishte parashikuar dhe planifikuar, se ky “operacion special ushtarak” do të përfundonte brenda pak ditësh, po dështon. Paaftësia ushtarake e Rusisë ka habitur shumë ekspertë perëndimorë të sigurisë. Kjo sjell në kujtesë një lufte më të vogël, por gjithsesi shkatërruese, në ish-Jugosllavi. Në vitin 1992, nacionalistët serbë nisën një luftë për të shkatërruar shtetin e Bosnjës që sapo ishte shpallur i pavarur. Ata argumentuan se identiteti boshnjak ishte fals, se shtetësia boshnjake nuk kishte legjitimitet historik, dhe se Bosnja ishte në të vërtetë pjesë e Serbisë. Është pikërisht kjo pikëpamja e Putinit për Ukrainën.

Një ushtar i forcave speciale boshnjake dhe civilë nën rrezikun nga snajperët serbë, Sarajevë, 6 prill 1992

Ashtu si Rusia sot, forcat serbe asokohe kishin epërsi ndaj boshnjakëve që gjithsesi shfaqën një rezistencë të pathyeshme, duke mbrojtur vendin për gati katër vjet. Ka një vendosmëri të ngjashme tek të rinjtë që dalin vullnetarë për të mbrojtur sot Kievin. Gjendur në një situatë jo të mirë, serbët i rrethuan, i bombarduan, i ndërprenë ujin, gazin dhe energjinë. Gjë që tashmë po ndodh edhe në Mariupol. Rrethoni një qytet dhe ndërprisni furnizimin me ujë, me energji dhe nevoja bazike. Ç’mund të ndodhë? Menjëherë, ushqimi mbaron. A është kjo ajo që rusët synojnë për Mariupolin, për Kharkivin, për Kievin? Për t'i izoluar ata, “të vdesin urie” deri në nënshtrim?

Radha për ushqim të racionuar gjatë rrethimit të Sarajevës, 1992

Në vitin 1994, teksa Ballkani vlonte në konflikte dhe në luftëra, pjesa tjetër e Evropës Lindore po shikonte nga e ardhmja. Çdo komb ishte i etur për të qenë pjesë e një Evrope të pavarur e sovrane. Por nuk ishte ende e sigurt se cili shtet do të lejohej të bashkohej me NATO-n. Kishte një debat, në atë kohë, nëse një bllok i tretë sigurie duhet të formohej nga vendet e sapoçliruara të Evropës Lindore, për të vepruar si një hendek midis NATO-s dhe Rusisë. Megjithatë, këto vende duket se nisën të kërkonin me ngulm anëtarësimit në NATO.

Nën udhëheqjen e presidentit Bill Clinton, SHBA-ja vazhdoi të zgjeronte NATO-n. Presidenti rus, Boris Yeltsin, i cili e shihte veten si një aleat besnik të Clinton-it, thuhet se u zemërua kur zbuloi se NATO, po planifikonte të pranonte anëtarë të rinj pa u konsultuar me Moskën.

Rusia “një shtet me karakter të dyfishtë”

Mbretëria e Bashkuar dhe Franca kishin pushuar së qeni fuqi perandorake pas Luftës së Dytë Botërore - siç kishte bërë Austria pas Luftës së Parë Botërore. Në Turqi, Kemal Ataturku kishte ndërtuar një republikë moderne laike evropiane, një shtet turk, pasi Perandoria shumetnike Osmane ishte mposhtur dhe copëtuar në 1918. A mund të bënte Boris Yeltsin të njëjtën gjë, të ndërtonte një shtet-komb modern rus, në paqe me fqinjët e tij sovranë, mbi “rrënojat” e Perandorisë Sovjetike? Në fillim të viteve 1990, ai nisi eksperimentin e tij, në përpjekje për të kthyer një fuqi perandorake në një shtet demokratik. Por për ta kthyer një ekonomi të komanduar nga shteti në një sistem të tregut të lirë, rezultoi katastrofike. Një elitë e vogël u bë jashtëzakonisht e pasur duke plaçkitur asetet e industrive kryesore - veçanërisht naftën dhe gazin. Ekonomia u shemb, rubla humbi dy të tretat e vlerës së saj në një muaj dhe inflacioni arriti në 80%.

Presidenti i SHBA George HW Bush me Boris Yeltsin në Maryland, 1992

Pas një dështimi të tillë, ku një grup i kriminalizuar u bë shumë i pasur, e pjesa tjetër u varfërua edhe më, Rusia përfundimisht do t'i rikthehej tipit të udhëheqjes me një këmbë në demokraci dhe një në sundimin autoritar. Ish-këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Zbigniew Brzezinski, tha se Rusia mund të ishte një demokraci ose një perandori, por nuk mund të ishte të dyja. Stema ruse, shqiponja dykrenore, duket sikur sheh herë nga lindja e herë nga perëndimi. Historia e ka tërhequr Rusinë në drejtime të kundërta - shteti kombëtar demokratik në një drejtim, pushteti perandorak dominues në tjetrin.

Radhë në një bankë ruse, Moskë, shtator 1998

Po të shkoni në Shën Pjetërburg do të shihni një aspekt tjetër të këtij karakteri të dyfishtë. Një qytet i shekullit të 18-të, me arkitekturë tipike të iluminizmit evropian. Nën udhëheqjen e carëve, ishte kryeqyteti i perandorisë. Pas Revolucionit Rus të vitit 1917, bolshevikët vendosën Moskën si kryeqytet dhe pushteti u tërhoq pas mureve të larta e të ngritura të Kremlinit. Është arkitektura e mbrojtjes, e dyshimit, madje edhe e frikës... 

Shën Pjetërburg, Rusi
Kremlini në Moskë

Lufta në Ukrainë do të ravijëzojë një hartë të re ekonomike

Putin nuk e konsideron Ukrainën si një vend fqinj, por si tokën kufitare të vetë Rusisë  dhe ai dëshiron që ajo të kthehet në vatrën ruse. Çfarë do të duhej për ta bërë këtë? Si mund të nënshtrohet një komb që ka bërë një rezistencë kaq të unifikuar? 

E para është gjendja e forcave të tij të armatosura. E dyta është qëndrueshmëria e mbrojtjes së Ukrainës. A priste vërtet Putini që populli rusishtfolës i Ukrainës t'i mirëpriste trupat e tij si çlirimtarë? A besonte ai vërtet se kryengritja e 2014-s, e cila zëvendësoi qeverinë pro-Moskës me një qeveri të orientuar drejt Perëndimit, ishte e gjitha një komplot perëndimor? 

Gabimi më i madh i tij ka qenë nënvlerësimi i vendosmërisë së Perëndimit. Gjermania, së bashku me pjesën tjetër të botës demokratike, tani do të veprojë për t'i dhënë fund varësisë së saj nga gazi rus. Projekti Nord Stream 2 është pezulluar, megjithëse nuk është hequr ende. Ne po shohim një ravijëzim të hartës së shpërndarjes globale të energjisë, që synon të përjashtojë Rusinë. Sanksione ekstreme janë vendosur ndaj Rusisë, por të gjitha shtetet do të preken. Ky është kthimi i ri i ekonomisë së globalizuar që pas përfundimit të Luftës së Ftohtë.

Një tank i shkatërruar rus në Ukrainë, 26 shkurt

Shumë gjëra do të varen nga mënyra se si Kina do të negociojë këtë peizazh të ri. Kina dhe Rusia janë të lidhura nga antipatia e tyre e përbashkët ndaj fuqisë amerikane dhe bindja e tyre se kërcënimi më i madh do të vinte nga një perëndim i bashkuar. Kina nuk do që Putini të dobësohet, apo Perëndimi të forcohet. Megjithatë, ky duket të ketë qenë efekti që ka pasur lufta në Ukrainë.

Disa vëzhgues të Kinës, besojnë se Pekini do të përpiqet të sfidojë dominimin e dollarit, duke krijuar një zonë të veçantë “juan”, si një hapësirë ​​alternative në ekonominë globale që mund të mbrohet nga çdo përpjekje e ardhshme e SHBA-së për të sanksionuar Kinën. Prandaj, lufta e Putinit mund të ripërcaktojë hartën e re financiare ndërkombëtare. Por mbi të gjitha, kjo është një luftë që vendos demokracitë e botës kundër regjimeve autoritare.

Vladimir Putin dhe udhëheqësi kinez Xi Jinping takohen në Pekin, shkurt 2022

Helsinki kundër Jaltës

Studiuesi i Oksfordit, Timothy Garton Ash, thotë se këto dy pikëpamje të botës, demokratike dhe autoritare, mund të shprehen në formë të shkurtër me dy fjalë - Helsinki kundër Jaltës. Në Jaltë në vitin 1945, Stalini, Roosevelt dhe Churchill skalitën Evropën e pasluftës në "sferat e ndikimit" - pjesën më të madhe të Evropës Lindore në Rusi dhe Perëndimin në aleancën transatlantike. "Helsinki", në të kundërt, përshkruan një Evropë të shteteve të pavarura sovrane, secila prej të cilave është e lirë të zgjedhë aleancat e veta. Kjo doli nga Akti Final i Helsinkit i vitit 1975 dhe gradualisht evoluoi në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë. Mbrojtësit e Ukrainës po luftojnë për Helsinkin. Putini ka dërguar trupat e tij për të imponuar një version modern të Jaltës - i cili do të shkatërronte pavarësinë e Ukrainës dhe do ta linte atë nën dominimin rus dhe pa e lejuar të bëhet pjesë e NATO-s. Por presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka sinjalizuar gatishmërinë për të bërë kompromis mbi parimet e Helsinkit, duke rënë dakord të braktisë ambicien e Ukrainës për t'u bërë anëtare e NATO-s. 

Konferenca e Jaltës, nëntor 1943

"Fat. Ne patëm fat!"

Bota ka përjetuar disa herë terrorin e kërcënimit të asgjësimit bërthamor. Konflikti i tanishëm ka rikthyer sërish atë frikë. Putin ka paralajmëruar se në rast se ekzistenca e kombit të tij vihet në rrezik, ai do të përdorë arsenalin bërthamor të Rusisë. Kjo e bën këtë momentin më të rrezikshëm që nga kriza e raketave Kubane të vitit 1962.

Bashkimi Sovjetik dërgoi raketa bërthamore tek aleati i tij, Kuba. SHBA-ja mblodhi një flotë anijesh për të kryer një pushtim të ishullit nga deti. Ajo që amerikanët nuk e dinin është se sovjetikët nuk kishin vetëm raketa strategjike me rreze të gjatë. Ata kishin gjithashtu raketa bërthamore më të vogla taktike, të ashtuquajturat armë bërthamore të fushëbetejës. Sekretari i atëhershëm amerikan i Mbrojtjes, Robert McNamara, e mori vesh këtë vetëm kur arkivat sovjetike u hapën në vitin 1991. Vetëm atëherë ai e kuptoi se sa i ishte afruar bota katastrofës.

Kriza e raketave kubane

Në një film të mrekullueshëm të quajtur “Mjegulla e Luftës: Njëmbëdhjetë mësime nga Jeta e Robert McNamara”, ai shpjegoi se si bota kishte shmangur shkatërrimin e vetvetes. Ishte diplomaci e aftë? Udhëheqje e mençur? 

"Fat", tha ai. "Ne patëm fat!"

A2 CNN Livestream

Dita jonë