
Brukseli kërkon ndalimin e importit të qymyrit rus në BE
Brukseli ka propozuar një ndalim në mbarë BE-në për importet e qymyrit rus me vlerë 4 miliardë euro në vit dhe masa të tjera që synojnë ekonominë e Rusisë. Paketa e re e sanksioneve të BE-së, e pesta në total, u prezantua nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Në një deklaratë, ajo akuzoi Moskën për një luftë mizore dhe të pamëshirshme dhe tha se mizoritë e saj në Ukrainë nuk mund dhe nuk do të lihen pa përgjigje.
Gjashtë masat përfshijnë:
- Ndalimi i importit të qymyrit nga Rusia
- Një ndalim i plotë i transaksioneve në katër banka kryesore ruse, mes tyre e dyta më e madhe e vendit, VTB
- Një ndalim për anijet ruse për të hyrë në portet e BE-së
- Ndalime të mëtejshme të eksporteve, duke synuar zonat në të cilat Rusia është e cenueshme, siç janë pajisjet e transportit
- Ndalime të reja importi për produkte duke përfshirë ushqimet e detit, pijet alkoolike dhe drurin
- Masa shtesë të synuara që përfshijnë ndalimin e mbështetjes financiare për organet publike ruse
Këto masa kërkojnë miratimin e 27 vendeve anëtare të BE-së. Më parë, ka pasur ndarje brenda BE-së për veprimet që duhen ndërmarrë kundër Rusisë, me vende si Gjermania që varen shumë nga importet e karburanteve ruse.