Masakra në Bucha, Zelensky: Rusia po fsheh gjurmët e krimit, mbi 300 të vrarë

Përditësuar më: 5/4/2022, ora 15:28

Masakra në Bucha, Zelensky: Rusia po fsheh gjurmët e krimit, mbi 300 të vrarë

Përditësuar më: 5/4/2022, ora 15:28

Rusia po përpiqet të fshehë krimet e luftës të kryera nga ushtarët e vet në Ukrainë. Në një videomesazh të publikuar gjatë natës, presidenti Volodymyr Zelensky akuzon Moskën se ka nisur një operacion propagande, ku do të përfshihen regjistrime dhe intervista të rreme.

“Ata kanë nisur një fushatë false për të fshehur fajin në vrasjen masive të civilëve. Do të realizojnë dhjetëra intervista të sajuara, regjistrime të rreme dhe do të vrasin njerëz për ta bërë të duket se janë vrarë nga dikush tjetër”, u shpreh Zelensky.

Pamjet tronditëse që erdhën nga Bucha, shkaktuan zemërim dhe dhimbje nëpër botë. Presidenti amerikan, Joe Biden, kërkoi që Vladimir Putin të gjykohet për krime lufte.

“Unë u kritikova pasi e quajta Putin një kriminel lufte. Por ajo që pamë në Bucha tregon se ai është vërtet i tillë. Duhet të furnizojmë Ukrainën me armë dhe duhet të mbledhim informacione në mënyrë që të kemi një gjyq për krime lufte. Ai njeri është brutal”, tha Biden.

Zyrtarët amerikanë thanë se po mbështesin një ekip prokurorësh ndërkombëtarë që janë nisur drejt Bucha-s për të mbledhur prova. E megjithatë, Shtëpia e Bardhë thotë se ende nuk ka parë krime të atij niveli që të flitet për gjenocid.

Autoritetet në Kiev kanë nisur hetimet për krime lufte, pasi 410 trupa civilësh u gjetën në zonat rreth kryeqytetit. Disa u zbuluan në varre masive dhe të tjerë kishin duart e lidhur dhe ishin qëlluar në rreze të afërt. Zelensky i cili të hënën vizitoi zonën e Bucha-s, tha se mbi 300 trupa ishin zbuluar vetëm atje.

Kryebashkiaku i qytezës, Anatoly Fedoruk, thotë se rusët nuk ia kishin dalë në operacionin ushtarak dhe kësisoj kishin vrarë civilët si në një safari. Autoritet ukrainase akuzojnë gjithashtu forcat ruse për vrasjen e kryetares së fshatit të Motzhyn bashkë më bashkëshorten dhe të birin, pasi kishte ndihmuar trupat ukrainase në zonë.