Përgatitje për luftë bërthamore?! BE grumbullon pajisje dhe ilaçe për incidente kimike e atomike

Publikuar më: 6/4/2022, ora 15:32

Përgatitje për luftë bërthamore?! BE grumbullon pajisje dhe ilaçe për incidente kimike e atomike

Publikuar më: 6/4/2022, ora 15:32

Mes shqetësimeve lidhur me luftën e Rusisë në Ukrainë, Bashkimi Europian po fuqizon mbrojtjen kundër incidenteve kimike, biologjike dhe bërthamore. Brukseli njoftoi se po shton rezervat me pajisje mbrojtëse, dekontaminuese, medikamente dhe vaksina që mund të jenë të dobishme në rast të ndonjë incidenti.

“Komisioni Europian po ndërton tani një rezervë strategjike për emergjencat kimike, biologjike dhe bërthamore. Kjo përfshin dy gjëra. Para të gjithash, kemi një rezervë strategjike me mbi 540 milionë euro, e cila do të zhvillohet përmes mekanizmit të mbrojtjes civile të BE-së. Kjo do të përfshijë pajisjet e reagimit dhe medikamentet, vaksinat dhe terapitë e tjera për të trajtuar pacientët e ekspozuar ndaj emergjencave, kimike, biologjike e bërthamore”, tha zëdhënësi i KE-së për menaxhimin e krizave.

Ai sqaroi më specifikisht se çfarë rezervash ka grumbulluar Bashkimi Europian, deri më tani.

“Si një hap i parë i menjëhershëm, BE-ja ka mobilizuar tashmë rezervën e saj mjekësore të shpëtimit për të rritur rezervat me shishe kaliumi dhe jodi për të mbrojtur njerëzit nga efektet e dëmshme të rrezatimeve.”

Ndërkohë, Unioni ka nisur tashmë me përdorimin e rezervave aktuale për të ndihmuar ukrainasit e ekspozuar ndaj rrezatimeve të mundshme bërthamore në sajë të betejave pranë impianteve nukleare në luftën e nisur nga Rusia.