Wagner futet në Ukrainë, cili është grupi rus i mercenarëve?

Përditësuar më: 6/4/2022, ora 14:16
wagner 1280x720

Wagner futet në Ukrainë, cili është grupi rus i mercenarëve?

Përditësuar më: 6/4/2022, ora 14:16

Inteligjenca ushtarake britanike thotë se 1000 mercenarë nga kompania ushtarake private ruse, “Wagner Group”, janë duke u vendosur në Ukrainën lindore. Grupi ka qenë aktiv gjatë tetë viteve të fundit në Ukrainë, Siri e vendet afrikane dhe është akuzuar vazhdimisht për krime lufte dhe shkelje të të drejtave të njeriut.

Si u krijua Grupi Wagner?

Sipas një hetimi të BBC-së, Grupin Wagner mendohet se e ka themeluar një ish-oficeri i ushtrisë ruse, 51-vjeçari i quajtur Dmitri Utkin. Ai është një veteran i luftërave çeçene, një ish-oficer i forcave speciale dhe një nënkolonel i shërbimit të inteligjencës ushtarake ruse.

Grupi Wagner fillimisht hyri në veprim gjatë aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014. Tracey German, profesoreshë në King’s College në Londër, sqaron se ky grup mercenarësh ka luftuar që në ditët e para të pushtimit në rajonet e Luhanskut dhe Donetskut.

“Rreth 1000 mercenarë të këtij grupi mbështetën milicitë proruse që luftonin për kontrollin e rajoneve të Luhanskut dhe Donetskut. Drejtimi i një ushtrie mercenare është kundër kushtetutës ruse. Megjithatë, Wagner mund të përfshihet në konflikte jashtë vendit dhe Kremlini mund të thotë: Nuk ka të bëjë fare me ne!”.

Tracey German, profesoreshë në King’s College në Londër

Samuel Ramani, bashkëpunëtor në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara, thotë se Wagner rekruton kryesisht veteranët e ushtrisë që duhet të paguajnë borxhet: “Ata vijnë nga zonat rurale ku ka pak mundësi për të fituar para.”

Kush e financon Grupin Wagner?

Disa sugjerojnë se agjencia e inteligjencës ushtarake e Rusisë, GRU, financon dhe mbikëqyr fshehtas Grupin Wagner. Burime të tjera diskrete kanë thënë për BBC, se baza e saj e trajnimit në Mol’kino në Rusinë jugore, është pranë një baze të ushtrisë ruse. Megjithatë, Rusia ka mohuar vazhdimisht se Wagner ka ndonjë lidhje me shtetin.

Mirëpo, hetimet që identifikuan edhe lidhjet e ish-oficerit Utkin me Grupin Wagner, kanë zbuluar gjithashtu se me këtë grup është i lidhur edhe oligarku, Yevgeny Prigozhin. Miliarderi njihet me pseudonimin “kuzhinieri i Putinit”, sepse ai u ngrit nga të pasurit thjesht një restorant në furnizuesin kryesor të ushqimit për Kremlinin. Shumë nga kompanitë Prigozhin janë aktualisht nën sanksionet e SHBA-së me akuzën “ndikim keqdashës politik dhe ekonomik në mbarë globin”.  Megjithatë, sa i takon Wagnerit, ai gjithmonë ka mohuar çdo lidhje me këtë grup.

Një foto e nëntorit 2011 tregon Yevgeny Prigozhin duke ndihmuar Vladimir Putinin në një banket pranë Moskës

Ku ka operuar Grupi Wagner?

Në vitin 2015, Grupi Wagner filloi operimin në Siri, duke luftuar përkrah forcave proqeveritare dhe duke ruajtur zonat e naftës. Grupi ka qenë aktiv në Libi që nga viti 2016, duke mbështetur forcat besnike të gjeneralit Khalifa Haftar. Mendohet se deri në 1000 mercenarë Wagner morën pjesë në avancimin e Haftarit drejt qeverisë zyrtare në Tripoli, në vitin 2019. 

Në vitin 2017, Grupi Wagner u ftua në Republikën e Afrikës Qendrore për të ruajtur minierat e diamanteve. Raportohet gjithashtu se punuan në Sudan, duke ruajtur minierat e arit. Në vitin 2020, SHBA-ja tha se Wagner kishte qenë “duke vepruar si mbulesë” në këto vende për kompanitë minerare “M Invest” dhe “Lobaye Invest” të oligarkut Prighozin.

Anëtarët e Wagner në Siri

Së fundmi, Grupi Wagner është thirrur nga qeveria e Malit, në Afrikën Perëndimore, për të ofruar siguri kundër grupeve militante islamike. Mbërritja e tyre në vitin 2021 ndikoi në vendimin e Francës për të tërhequr trupat e saj nga vendi. Mendohet se Grupi Wagner ka rreth 5000 mercenarë që veprojnë në të gjithë botën.

Çfarë krimesh dyshohet se ka kryer Wagner?

Kombet e Bashkuara dhe qeveria franceze kanë akuzuar mercenarët e Wagnerit për kryerjen e përdhunimeve dhe plaçkitjeve kundër civilëve në Republikën e Afrikës Qendrore, ndaj BE-ja iu ka vendosur sanksione për këtë.

Në vitin 2020, ushtria e Shteteve të Bashkuara akuzoi mercenarët Wagner se kishin vendosur mina tokësore dhe pajisje të tjera shpërthyese të improvizuara, rreth kryeqytetit libian, Tripoli. “Përdorimi i minave tokësore dhe sulmet nga Wagner Group po dëmtojnë civilët e pafajshëm”, tha admirali Heidi Berg, drejtor i inteligjencës në Komandën e Ushtrisë Amerikane në Afrikë.

Mercenarët rusë shihen në vijën e frontit në Tripoli të Libisë

Çfarë po bën Grupi Wagner në Ukrainë?

Në javët para pushtimit rus të Ukrainës, mendohet se mercenarët e Grupit Wagner kryen sulme në Ukrainën lindore për t’i dhënë Rusisë një pretekst për të sulmuar, me anë të taktikës së quajtur “flamur i rremë”. Një operacion i flamurit të rremë është një veprim i kryer me qëllim të maskimit të burimit të vërtetë përgjegjës dhe fajësimit të një pale tjetër.

Së fundmi, shumë mesazhe janë shfaqur në mediat sociale ruse duke rekrutuar mercenarë dhe duke i ftuar ata në “një piknik në Ukrainë”. Megjithatë, grupet mercenare kanë filluar të përdorin emra të tjerë, të tillë si “The Hawks”. Candace Rondeaux, profesoreshë e studimeve ruse në Universitetin Shtetëror të Arizonës, thotë se kjo mund të shënojë një përpjekje për t’u larguar nga emri Wagner sepse tashmë emri i tyre është i njollosur.