Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

Pyetjet e mbyllura dhe Ballkani Hapur!

Nga A2 CNN
7 Prill 2022, 15:57 | Aktualitet
Pyetjet e mbyllura dhe Ballkani Hapur!

Nga Lutfi Dervishi

Gjashtë në dhjetë shqiptarë janë dakord për Ballkanin e Hapur, por nëse nga të anketuarit do të gjenden vetëm gjashtë persona që të kuptojnë dallimin mes Ballkanit të Hapur dhe Tregut të Përbashkët Rajonal, kjo do të ishte një arritje historike në procesin e integrimit në rajon dhe në procesin e integrimit të rajonit në BE!

Së pari a ka dallim mes Tregut të Përbashkët Rajonal dhe Ballkanit të Hapur?

Në fakt ka disa dallime, të rëndësishme apo jo këtë ja lemë në dorë lexuesve qoftë edhe atij lexuesi që ka plotësuar pyetësorin.

Dallimi i parë është emri: një proces quhet Tregu i Përbashkët Rajonal dhe tjetri quhet Ballkani i Hapur.

Dallimi i dytë është mbështetja: Tregu i Përbashkët Rajonal mbështetet nga 6 qeveritë e rajonit (Shqipëria, Bosnja, Serbia, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Mali i Zi. Ballkani hapur mbështetet nga gjysma e vendeve të rajonit (Shqipëria, Serbia, Maqedonia)

Tregu i Përbashkët Rajonal (TPR) mbështetet nga Procesi i Berlinit dhe Brukseli.  Jo vetëm me fjalë, por edhe me fonde. 1 miliard euro mbështetje si donacion dhe 10 miliardë euro kredi e butë.  Tregun e Përbashkët Rajonal (TPR) e mbështet BE, por e mbështet edhe SHBA!

Për TPR, jo vetëm që kanë rënë dakord në parim të gjashtë qeveritë e Ballkanit, por edhe kanë miratuar një Plan Veprimi prej 25 pikash. Data? Jo shumë e largët: 10 nëntor 2020 në Takimin e Sofjes në kuadër të Procesit të Berlinit!

Çfarë është Tregu i Përbashkët Rajonal? Përgjigja  me një fjali: një treg që garanton lirinë e lëvizjes së njerëzve, mallrave, shërbimeve, kapitaleve.

Çfarë është “Ballkani Hapur”? Përgjigja me një fjali: një treg që garanton lirinë e lëvizjes së njerëzve, mallrave, shërbimeve, kapitaleve.

Pyetja është: Kur kemi Tregun e Përbashkët Rajonal, për çfarë na duhet  “Ballkan i Hapur” që na ka futur në “sherr” edhe me Kosovën?

Përveç egos personale nuk gjej dot një përgjigje tjetër.

Gjithkush mund ta ketë një përgjigje të veten për këtë pyetje, por ndoshta ja vlen të futet në “këshillimin kombëtar” të radhës pyetja:

A ka dallim mes Tregut të Përbashkët Rajonal dhe Ballkanit të Hapur?

Dhe meqë jemi te Këshillimi: qeveria dhe opozita këshillohen/bashkëbisedojnë/konsultohen me njerëzit gjatë fushatës elektorale për çështjet që i konsiderojnë me rëndësi. Partia që fiton miraton programin në Parlament dhe nis qeverisjen. Këtu duket se ka një dëshirë si nga forca që del në opozitë ashtu edhe nga ajo që fiton që fushatën ta bëj pas shpalljes së rezultatit  të zgjedhjeve! Ka një kohë për gjithçka thuhet në librin e shenjtë. Problem është kur ngatërrimi i  kohëve kthehet në modë.

Nëse qeveria e konsideron jetike, e konsideron si oksigjeni këshillimin me të qeverisurit atëherë të kalojnë në referendum çështjet për të cilat është në dilemë. Çështjet që kalojnë në referendum diskutohen, analizohen, shqyrtohen dhe njerëzit janë të informuar se për çfarë do të thonë po dhe për çfarë do të thonë jo.

Dyshoj shumë se të gjithë që kanë plotësuar pyetësorin kanë qenë të informuar për Maqedoninë e Veriut, për Ballkanin e Hapur apo për secilën nga çështjet e tjera?!  Nuk ka pse t’i biem nga Kina. Nëse kemi merak hashashin pyetja mund të bëhet e drejtpërdrejtë.

Do të vijojmë luftën ndaj hashashit apo do të nisim luftën ta legalizojmë?

Pyetjet e mbyllura në gazetari janë pyetjet që të çojnë te përgjigjet po ose jo. Por pyetjet duhet të kenë kuptim përndryshe ngatërrojmë luftën ndaj hashashit me luftën për hashashin ose Ballkanin e Hapur me Tregun e Përbashkët Rajonal. Tamam sikur të ngatërrojmë Niçen e Shijakut me Niçen e Gjermanisë!

A2 CNN Livestream

Dita jonë