Të vizatosh luftën, 14-vjeçarja hedh në letër frikën dhe përjetimet

Publikuar më: 7/4/2022, ora 09:27

Të vizatosh luftën, 14-vjeçarja hedh në letër frikën dhe përjetimet

Publikuar më: 7/4/2022, ora 09:27

Kur raketat ranë mbi godinat e banimit në qytetin e Mariupolit në Ukrainë në fillim të marsit, 14-vjeçarja Karina Ivashchenko mori lapsin dhe fletën e nisi të vizatojë. Ajo thotë se vizatimi e ka ndihmuar të shpërqendrohet nga jetesa nën bombardimet ruse dhe shumë shpejt u bë mekanizmi i saj përballues.

“Kam vizatuar frikat e mia. Isha e frikësuar nga lufta, e frikësuar kur qëllonin në rrugë. Ishin në vendstrehim dhe të gjitha muret tundeshin”, tha Ivashchenko. Për dy javë bashkë me familjen dhe fqinjët, Karina ka qëndruar në vendstrehimin poshtë pallatit ku ka jetuar, derisa më pas mundën të largoheshin drejt Polonisë.

Mes alarmit të sirenave të sulmit ajror, avionëve që afroheshin dhe bombardimeve, Ivashchenko gjeti strehë përmes artit. Në vizatimet e saj e portretizoi veten si një personazh vizatimor, duke shprehur ndjenjat, mendimet dhe përvojat. Disa nga ilustrimet tregojnë për tingujt që ajo dëgjoi, ndërsa të tjerat paraqesin skena të jetës së përditshme në Ukrainë.

Në kohën kur familja Ivashchenko ishte strehuar në bodrum, ata nuk kishin energji elektrike, ngrohje apo ujë. “Kur dola nga bodrumi në rrugë, të gjitha shtëpitë ishin në zjarr. Tym i zi kudo. Të gjitha shtëpitë, thjesht ishin zhdukur. Ishte shumë e frikshme. Unë nuk kam parë kurrë diçka të tillë. Ishte ferr”, tha ajo.

Gati 5000 njerëz, duke përfshirë rreth 210 fëmijë, janë vrarë në qytetin jugor të Ukrainës, Mariupol, që kur e rrethuan forcat ruse tha më herët një zëdhënës i kryebashkiakut.

Rusia mohon të ketë shënjestruar civilët dhe fajëson Ukrainën për dështimet e vazhdueshme për të rënë dakord për korridoret e sigurta për banorët e bllokuar.

Ivashchenko, nëna, gjyshja dhe gjyshi i saj ishin ndër ata që arritën të shpëtonin nga Mariupol dhe të arrinin të sigurt në qytetin polak të Krakovit. Babai i saj, megjithatë, duhej të qëndronte pas.

Për herë të parë pas një farë kohe, ndjenja e sigurisë është rikthyer dhe “nuk kam më nevojë të vizatoj”, tha Ivashchenko.