Zelensky, i pakënaqur me sanksionet ndaj Rusisë: Janë të pamjaftueshme, ndalni naftën ruse

Përditësuar më: 7/4/2022, ora 09:39
AP22056776159289 1080x720

Zelensky, i pakënaqur me sanksionet ndaj Rusisë: Janë të pamjaftueshme, ndalni naftën ruse

Përditësuar më: 7/4/2022, ora 09:39

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, është sërish i pakënaqur me sanksionet e fundit të Perëndimit ndaj Rusisë, ku u goditën disa nga bankat më të mëdha të këtij vendi, si dhe familjarët e ngushtë të presidentit Putin dhe ministrit të Jashtëm, Sergej Lavrov.

Në mesazhin e tij tashmë të përnatshëm drejtuar popullit ukrainas, presidenti Zelensky i vlerësoi sanksionet, por i cilësoi ato të pamjaftueshme. Sipas tij, bankat ruse duhet të përjashtohen plotësisht nga sistemi bankar ndërkombëtar. Gjithashtu, ai kërkoi dhe ndaljen totale të importit të naftës.

Zelenski shtoi se vetëm me sanksione më të forta, Rusia mund të ndryshojë qëndrim.

“Deri sa të ketë një paketë me të vërtetë të ashpër kundër Rusisë apo të furnizohemi me armët që kemi kërkuar, disa herë tashmë, Moska do ta konsiderojë këtë gjë si një leje për të ecur përpara dhe për të vijuar gjakderdhjen në Donbass”, u shpreh Zelensky.

Më tej, presidenti ukrainas iu premtoi qytetarëve se do të bëjë gjithçka për të shtyrë përpara ekonominë, duke mbështetur fabrikat lokale dhe aktivitetet e vogla dhe të mesme, për të siguruar punësim në këto momente tepër të vështira.