Polonia, fortesa e Europës

Përditësuar më: 23/4/2022, ora 14:46
Untitled Design 3 1280x720

Polonia, fortesa e Europës

Përditësuar më: 23/4/2022, ora 14:46

Me forcat e ushtrisë ruse që janë tërhequr nga veriu i Ukrainës, duke u përqendruar në lindje dhe në jug të vendit, në Poloninë fqinje po merr formë një grumbullim i paprecedent i trupave të NATO-s.

Përqendrimi masiv i trupave dhe armatimeve të Aleancës në Poloni tregon drojën e vendeve aleate se mos lufta e Rusisë në Ukrainë përshkallëzohet edhe në vendet e tjera.

Nga ana tjetër, ky përforcim i kufijve lindorë të Europës është edhe shfaqje e gatishmërisë së NATO-s dhe Bashkimit Europian për t’u përballur ushtarakisht me çdo sulm të mundshëm nga Kremlini.

Pjesëtar i forcave speciale polake gjatë një stërvitjeje të NATO-s

Faktikisht, Polonia është shndërruar në vijën e parë të mbrojtjes së Perëndimit përballë kërcënimit të Presidentit Vladimir Putin. Aktualisht, llogariten 10 500 trupa amerikane në këtë vend, krahas qindra mjeteve ajrore, mjeteve të blinduara, artilerisë dhe kapaciteteve të tjera ushtarake, që forcat e Shteteve të Bashkuara zotërojnë në Poloni nën komandën e NATO-s.

Britania e Madhe ka dërguar rreth 700 trupa dhe armatime raketore të teknologjisë së fundit, me synim parësor sigurimin e kufijve të Polonisë me Ukrainën. Ndërkohë, vetë ushtria polake numëron rreth 120 mijë trupa ushtarake, të pajisura dhe të përgatitura sipas standardeve të NATO-s.

Presidenti Biden shkrep një selfie me ushtarakët amerikanë në Poloni

Ky vend iu bashkua Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) në vitin 1999. Sipas një sondazhi të organizuar në vitin 1999, me rastin e 20 vjetorit të anëtarësisë në Aleancë, rreth 70 për qind e polakëve ishin të mendimit se qenia pjesë e NATO-s kishte një efekt të drejtpërdrejtë në përmirësimin e situatës së sigurisë së vendit.

Prej kohësh, Polonia ka luajtur rolin e pararojës së NATO-s dhe Bashkimit Europian në Europën Qendrore, përballë të ashtuquajturës “agjendë revizioniste e Kremlinit”. Polonia, gjithashtu, ka praninë më të madhe të trupave amerikane në Europë, të cilat në të gjithë kontinentin numërohen në 100 mijë.

Rekrutë të ushtrisë polake

Para krizës në Ukrainë, e cila filloi me aneksimin e Krimesë nga Rusia, kontingjenti ushtarak amerikan në këtë vend numërohej në rreth 5 mijë trupa. Vetëm gjatë ditëve që i paraprinë pushtimit rus në Ukrainë, Shtetet e Bashkuara dërguan 3 mijë trupa shtesë.

“Porta e Putinit për në Europë”

Vëmendja e shtuar strategjike që ka marrë Polonia përkundër agresionit rus në Ukrainë, lidhet me pozicionin e saj strategjik. Një vend anëtar i NATO-s dhe i Bashkimit Europian, Polonia ndan një kufi të gjatë prej 550 kilometrash me Ukrainën. Gjithashtu, Polonia kufizohet me Bjellorusinë, një vend aleat i Rusisë, i cili ka luajtur një rol domethënës në pushtimin e Ukrainës.

Harta politike e Europës. Polonia qëndron mes agresionit rus dhe Europës Perëndimore

Edhe pse pa lidhje të drejtpërdrejtë tokësore, teknikisht, Polonia ndan një kufi me Rusinë për shkak se kufizohet me eksklavën ruse të Kaliningrad Oblastit. Kjo e fundit është një xhep i Federatës Ruse ndërmjet Polonisë në njërën anë, dhe Lituanisë dhe Letonisë në tjetrën.

Ndërsa në krahun perëndimor, Polonia kufizohet me Sllovakinë, Çekinë dhe Gjermaninë. Ndaj edhe Polonia e përkufizon veten si “Porta e Rusisë për në Europë”. Kjo ka bërë që ky vend të marrë vëmendje të veçantë politike dhe mbështetje të shtuar ushtarake nga Aleanca dhe BE-ja.

Shpenzimet ushtarake të Polonisë kanë qenë historikisht të larta dhe vendi ka zhvilluar në vijimësi një ushtri të fortë dhe moderne. Sa për të dhënë një krahasim, vetëm në javët e fundit, Gjermania u zotua që t’i rrisë shpenzimet e saj për ushtrinë në më shumë se 2% të PBB-së.

Tank polak gjatë një stërvitjeje të përbashkët të NATO-s

Niveli 2 për qind përfaqëson minimumin e shpenzimeve të detyrueshme për ushtritë e shteteve anëtare të Aleancës. Por shumica prej tyre, ato europiane veçanërisht, nuk i janë përmbajtur këtij zotimi, duke marrë edhe kritika të kohëpaskohshme.

Për dallim nga shumica e klubit europian të NATO-s, Polonia ka mbajtur një nivel shpenzimesh mbi 2 për qind të PBB-së së vendit.

Në mars të këtij viti, Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda nënshkroi miratimin e ligjit që do t’i rrisë shpenzimet ushtarake të vendit në 3% të PBB-së – një nga nivelet më të larta të NATO-s – si dhe do të dyfishojë numrin e trupave që shërbejnë në forcat e armatosura të vendit.

Presidenti polak Andrzej Duda gjatë një konference të NATO-s

Pak a shumë, në të njëjtën kohë me këtë vendim, Polonia dëboi 45 diplomatë rusë duke i akuzuar për spiunazh. Rusia u kundërpërgjigj duke dëbuar 45 diplomatë polakë. Ministria e Jashtme e Rusisë tha se e konsideronte vendimin e Polonisë “si konfirmim të dëshirës së vetëdijshme të Varshavës për të shkatërruar përfundimisht marrëdhëniet dypalëshe”.

Polonia ka mbajtur një retorikë të ashpër ndaj Rusisë, dhe tensionet mes dy vendeve kanë ardhur duke u rritur që nga nisja e pushtimit në Ukrainë.

Një hasmëri e vjetër

Në vitin 1980, kur Perdja e Hekurt shpaloste një periudhë agresive të marrëdhënieve ndaj Perëndimit, Bashkimi Sovjetik nisi të grumbullonte trupa në kufi me Poloninë.

Në këtë mënyrë, sovjetikët po kërcënonin në mënyrë të heshtur me ndërhyrje ushtarake në Poloni. Kërcënimi sovjetik erdhi sepse lëvizja sindikaliste “Solidarnosh” (Solidariteti), e cila në kulmin e vet numëroi 10 milionë anëtarë, kishte galvanizuar vendin në greva dhe demonstrata, duke kërkuar më shumë të drejta demokratike.

Leh Valesa flet para popullit polak

Përballë rrezikut të ndërhyrjes së ushtrisë sovjetike, ishte vetë regjimi komunist polak që shpalli ligjin ushtarak, mobilizoi ushtrinë dhe shtypi me dhunë protestat në mbarë vendin. Pati të vrarë dhe të plagosur, teksa mijëra aktivistë u burgosën.

Por në fund të viteve ’80, “Solidariteti”, i cili deri në atë pikë kishte vazhduar të operonte në fshehtësi, u ringrit përmes protestave mbarëpopullore, duke e detyruar qeverinë të lejonte diçka të paprecedent në historinë e Bllokut Komunist: Zgjedhje të lira dhe demokratike.

Regjimi përjetoi një disfatë dërrmuese në zgjedhjet e vitit 1989, dhe “Solidariteti” i udhëhequr nga Leh Valesa fitoi zgjedhjet e para demokratike pas peshës së  Perdes së Hekurt. Kjo e fundit shënoi çarjen e saj të parë. Polonia u bë kështu, dominoja e parë në zinxhirin e gjatë të ngjarjeve që rezultuan në gremisjen e Bashkimit Sovjetik.

‘Solidariteti’ polak marshon drejt fitores duke ngulur gozhdën e parë në arkivolin e Bllokut Komunist

Ky mund të konsiderohet një rast i veçuar me fund të lumtur, në armiqësinë historike mes Polonisë dhe Rusisë. Rreth katër dekada para fitores së jashtëzakonshme të demokracisë polake, më 1 shtator 1939, Gjermania naziste kishte sulmuar Poloninë.

Edhe pse të papërgatitur përballë Blitzkriegut (sulmit taktik të rrufeshëm të ushtrisë naziste), polakët po ia dilnin ta përmbanin mësymjen gjermane mes vështirësish të mëdha. Por, rreth dy javë më vonë, Bashkimi Sovjetik sulmoi nga lindja. E vendosur mes dy frontesh, rezistenca polake u shkërrmoq.

Stalini dhe Joachim von Ribbentrop pas nënshkrimit të paktit të fshehtë ushtarak mes Gjermanisë Naziste dhe Bashkimit Sovjetik

Në zbatim të marrëveshjes sekrete mes palëve, Hitleri dhe Stalini e ndanë Poloninë mes tyre. Siç dihet, marrëveshja mes dy diktatorëve nuk mbajti gjatë, dhe në qershor të vitit 1941, Gjermania nisi “Operacionin Barbarossa”, i cili synonte pushtimin e Rusisë.

Këtu historia merr një kthesë të pazakontë. Oficeri gjerman Rudolf Christoph Freiherr von Gersdorff njihet si një ndër ushtarakët e Rajhut të Tretë që komplotoi të vriste Hitlerin me një sulm vetëvrasës me bombë. Plani dështoi, por atentatori në tentativë nuk u zbulua dhe mbijetoi.

Rudolf Christoph Freiherr von Gersdorff, njeriu që deshi të vriste Hitlerin dhe zbuloi varret masive të oficerëve polakë

Gersdorff ishte i njëjti oficer që në vitin 1943, teksa ndodhej në rrethinat e Smolenskut në territoret e pushtuara ruse, i mori seriozisht raportimet për një varr masiv me trupat e oficerëve polakë në rrethinën Kozelsk, pranë Katinit. Ai u kaloi eprorëve një raport mbi këtë fakt, prej nga u autorizua edhe këqyrja e vendit.

Në atë që më vonë do të njihej si “Masakra e Katinit”, u gjetën të ekzekutuar në shtresa të ndryshme të varreve masive, trupat e rreth 22 mijë oficerëve polakë, të cilët ishin marrë si robër lufte nga ushtria sovjetike.

Plan-detaj nga trupat e gjetur në Katin

Armiqësia e Polonisë me Bashkimin Sovjetik, apo dhe me Rusinë, i paraprin Luftës së Dytë Botërore, por fakti mbetet që mëria polake ndaj Rusisë nuk është fashitur. Kur më 10 prill 2010, një delegacion nga Polonia po fluturonte nga Vrashava në Smolensk për të përkujtuar viktimat e “Masakrës së Katinit”, me rastin e 70-vjetorit të saj, aeroplani me të cilin ata udhëtonin u rrëzua pranë qytetit rus, duke vrarë 96 personat që ndodheshin në bord.

Mes viktimave ishin Presidenti i Polonisë Lech Kaczynski dhe bashkëshortja e tij, Maria, ish-presidenti Ryszard Kaczorovski, Shefi i Shtabit dhe oficerë të tjerë të lartë polakë, kreu i bankës qendrore, 18 anëtarë të parlamentit, krerë të kishës polake dhe familjarë të viktimave të “Masakrës së Katinit”.

Itinerari i fluturimit fatkeq

Hetimet e përbashkëta nga autoritet polake dhe ruse arritën në përfundimin se në kushtet e kohës së keqe dhe duke shpërfillur paralajmërimet e përsëritura të kullës së kontrollit të aeroportit të Smolenskut, pilotët morën vendime të gabuara që rezultuan në përplasjen fatale.

Një sërë teorish konspirative që fajësojnë Rusinë, kanë qarkulluar mbi shkaqet e tragjedisë, shpesh të nxitura nga partia “Ligj dhe Drejtësi”. Kjo është edhe partia e presidentit të tanishëm polak, Andrzej Duda. Teksa shkaqet e vërteta të aksidentit ajror janë të qarta, një pjesë jo e vogël e polakëve mbajnë mëri ndaj Rusisë mbi këtë tragjedi.

Mbetje të aeroplanit që transportonte delegacionin polak për në Smolensk

Nga “armik i brendshëm” në “Kalorës të Perëndimit”

Paralelisht me faktorizimin e Polonisë si pjesë kritike e vijës mbrojtëse të Europës përballë kërcënimit që vjen nga Kremlini, një zhvillim tjetër po ndodh në kancelaritë e institucioneve të BE-së. Në janar të këtij viti, Komisioni Europian i dërgoi Polonisë një kërkesë formale për pagesën e një gjobe prej 1 milionë eurosh në ditë, të vendosur nga Gjykata Europiane e Drejtësisë (GJED).

Ky dënim u vendos në tetor të vitit të shkuar, pasi Varshava refuzoi të shpërbënte një dhomë disiplinore të gjykatësve për Gjykatën e Lartë të vendit, të cilën GJED e konsideron në kundërshtim me ligjet e Bashkimit Europian.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen kritikon qeverinë polake

Komisioni Europian ka deklaruar se ky riorganizim i sistemit të drejtësisë mund të përdoret për të ushtruar kontroll politik mbi vendimet gjyqësore apo për të ushtruar presion mbi gjykatësit. Sipas Brukselit, këto ndryshime në gjyqësorin polak “godasin në zemër të BE-së”, duke rrezikuar zbatimin e ligjit europian.

Kjo është hera e parë që një vend anëtar po gjobitet për shkak të moszbatimit të vendimeve të Gjykatës Europiane të Drejtësisë.

Marrëdhëniet mes Polonisë dhe BE-së kanë shënuar përkeqësim gjatë viteve të fundit. Qeveria polake është përballur me kritika të forta për qëndrimet e saj ndaj të drejtave të grave dhe ato riprodhuese, për të drejtën e grumbullimit, të drejtën e shprehjes, të drejtat e komunitetit LGBT, si dhe për të drejtat e refugjatëve dhe emigrantëve. Lista është e gjatë.

Por me Luftën në Ukrainë dhe rrezikun e përhapjes së saj në vende të tjera, krahas një krize ekonomike që ka pushtuar Europën, telashet e Polonisë me Brukselin kanë kaluar në plan të dytë të opinionit publik. Tani për tani, ajo është kështjella e Europës përballë rrezikut rus.