Koloneli rus i regjimentit elitar raportohet i vrarë në Ukrainë

Përditësuar më: 11/4/2022, ora 16:42
koloneli rus bespalov 1280x720

Koloneli rus i regjimentit elitar raportohet i vrarë në Ukrainë

Përditësuar më: 11/4/2022, ora 16:42

Një tjetër oficer i rangut të lartë rus raportohet të jetë vrarë në Ukrainë, duke u bërë i nënti i këtij niveli që humb jetën që prej nisjes së luftës, 46 ditë më parë.

Sipas raportimeve, koloneli Alexander Bespalov, komandanti i Regjimentit të 59-të të Tankistëve, është viktima e radhës nga oficerët rusë, por nuk është ende e qartë si ka ndodhur vrasja e tij.

BBC raporton se lajmi i vdekjes së Bespalov u nda fillimisht në rrjetet sociale, ku u tha se ai u varros të premten e kaluar në Ozersk. Që prej atij momenti, mesazhi u fshi. Por një tjetër postim, që besohet se është bërë nga motra e Bespalov, duket se konfirmon vdekjen e tij.

Të premten, Ukraina tha se rreth 19 mijë ushtarë rusë janë vrarë që prej nisjes së pushtimit.

Në një investigim të BBC, pretendohet se më shumë se 20% e ushtarëve rusë që janë konfirmuar të vrarë në luftën e Ukrainës janë oficerë. Sipas korrespondentes së BBC World, Olga Ivshina, mes viktimave janë 10 kolonelë, 20 kolonel-lejtnant, 31 majorë dhe 155 oficerë të rangut të ulët.

BBC pretendon se ka mundur të identifikojë të gjithë 1083 ushtarët e konfirmuar të vrarë në Ukrainë, sipas zyrtarëve apo mediave ruse. Nga ana e saj, Ukraina pretendon se numri i ushtarëve rusë të vrarë është mbi 19 mijë.

Sipas Ivshina, Rusia ka humbur në këtë luftë disa nga ushtarët më të mirë të saj, efektivë të forcave speciale apo pilotë avionësh ushtarakë me përvojë.

“Duhen 5 vite dhe të paktën 10 mijë dollarë për të përgatitur një toger ushtrie në Rusi. Për efektivë të tjerë më të specializuar, kjo shifër shkon deri në 60 mijë dollarë. Ndërsa për të përgatitur një pilot të aftë duhen 14 vite punë dhe 4 deri në 14 milionë dollarë”, thotë gazetarja e BBC.