“Sulmi në Donbas ka nisur”

Përditësuar më: 11/4/2022, ora 11:36

“Sulmi në Donbas ka nisur”

Përditësuar më: 11/4/2022, ora 11:36

Ukraina bëhet gati për betejën vendimtare në rajonin lindor të donbas, ndërsa zyrtarë të lartë në Kiev thonë se ofensiva e madhe e trupave të Moskës ka nisur tashmë. Imazhet satelitore tregojnë një autokolonë 13 km të gjatë të ushtrisë ruse e cila po lëviz drejt Izium, 230 km larg Dnipros.

Vadym Denysenko, këshilltar në Ministrinë e Brendshme, tha në televizionin shtetëror se “në këndvështrimin tim, sulmi i madh ka nisur tashmë”.

“Duhet të kuptojmë se nuk ka për të qenë një përsëritje e 24 shkurtit, kur nisën sulmet e para ajrore dhe ne thamë “nisi lufta”. Sulmi i madh “de-facto” sapo ka nisur”, u shpreh Denysenko.

Zyrtarët ukrainas dhe perëndimorë kanë thënë gjatë ditëve të fundit se kanë vëzhguar lëvizje të trupave ruse në Donbas, pas tërheqjes së trupave nga Kievi.

“Rusët po mbledhin forcat. Po dërgojnë trupat dhe pajisjet në rajonet Donetsk dhe Luhansk. E vërtetë që nuk ka pasur beteja të mëdha ditët e fundit, por në përgjithësi mund të themi se sulmi ka nisur. Ka pasur shpërthime natën në Dnipropetrovsk, ndërsa bombardimet në Kharkiv kanë vazhduar”, shpjegoi këshilltari i Ministrisë së Brendshme ukrainase.

Inteligjenca britanike paralajmëron se është rritur mundësia për përdorim të armëve me fosfor në Mariupol, çka do të përkthehej me më shumë viktima civile. Forcat ruse kanë siguruar territor të ri në Mariupol gjatë 24 orëve të fundit, duke e ndarë në dysh qytetin port i rrethuar tashmë prej javësh. Ministria e Mbrojtjes në Britaninë e Madhe.

Lideri i republikës ruse të Çeçenisë Ramzan Kadyrov, paralajmëroi një ofensivë jo vetëm në Mariupol por edhe në kryeqytetin Kiev dhe qytete të tjera të Ukrainës.

Mediat ukrainase që citojnë zyrtarë të qeverisë lokale në Kharkiv, thonë se qyteti është bombarduar 66 herë në 24 orët e fundit, me pasojë vdekjen e 11 personave, përfshirë një fëmijë 7 vjeç. Sirenat që sinjalizojnë sulme ajrore u dëgjuan edhe në qytete të tjera, përfshirë edhe në Lvivin perëndimor.

Në total, 183 fëmijë thuhet të kenë humbur jetën që kur Vladimir Putin urdhëroi atë që e quajti operacion special në Ukrainë, më 24 shkurt. Presidenti Volodimir Zelensky tha se Rusia ka humbur lidhjen me realitetin, deri në atë pikë se po akuzon Ukrainën për krimet e kryera nga ushtria e vet.