Kryebashkiaku: 21 mijë të vrarë në Mariupol

Përditësuar më: 12/4/2022, ora 18:46

Kryebashkiaku: 21 mijë të vrarë në Mariupol

Përditësuar më: 12/4/2022, ora 18:46

Kryetari i qytetit ukrainas jep shifrën e re tragjike të viktimave të shkaktuara nga sulmi rus. Britania e Madhe nuk përjashton ndërhyrjen ushtarake nëse vërtetohet përdorimi i armëve kimike

Në një mesazh televiziv, Vadym Boichenko, tha se ka qenë e vështirë përllogaritja e numrit të saktë të viktimave që prej nisjes së luftimeve atje.

“Sipas vlerësimeve tona, numri i viktimave është rreth 21 mijë civilë paqësorë në Mariupol. Dimë edhe që trupat janë zhdukur nga rrugët, kemi dëshmi për këtë. Dimë edhe që ka disa të ashtuquajtur vende përqendrimi, ku mbajnë trupat e pajetë dhe plani i tyre është të shkatërrojnë çdo provë të torturave që kanë kryer në Mariupol. Ne e quajmë gjenocid, krim lufte”, tha Boichenko.

Shifra konfirmohet edhe nga kreu i administratës ushtarake të krahinës së Donetskut, Pavlo Kyrylenko. “Situata në Mariupol e bën të vështirë të komentosh për numrin e viktimave. Qyteti vijon të jetë i rrethuar dhe i bllokuar. Momentalisht po diskutohet se numri i viktimave është mes 20 dhe 22 mijë”, tha ai për CNN.

Më parë, Presidenti Zelensky dhe autoritetet lokale kishin vlerësuar se numri i viktimave ishte rreth 10 mijë, por sot shifra u dyfishua.

Mariupol është një prej qyteteve ukrainase thuajse të rrafshuar nga bombardimet ruse, pasi ndodhet pranë kufirit me Rusinë, në brigjet e Detit Azov.