“Qëllimet tona në Ukrainë janë fisnike”, Putin: E pashmangshme përplasja me forcat anti-ruse

Përditësuar më: 12/4/2022, ora 14:35

“Qëllimet tona në Ukrainë janë fisnike”, Putin: E pashmangshme përplasja me forcat anti-ruse

Përditësuar më: 12/4/2022, ora 14:35

Rusia pretendon se operacioni ushtarak në Ukrainë ka qëllime fisnike. Presidenti Vladimir Putin u shpreh me bindje se të gjitha synimet do të përmbushen, teksa më kryesorin përmendi atë për mbrojtjen e Donbasit.

“Nuk ka dyshim se Forcat e Armatosura Ruse do t’i arrijnë qëllimet e tyre. Qëllimet janë absolutisht të qarta, ato janë fisnike. Qëllimi ynë kryesor është të ndihmojmë njerëzit në Donbas, popullin e Donbasit, të cilin ne e njohëm, duhej ta bënim sepse autoritetet e Kievit, të shtyra nga Perëndimi, refuzuan të zbatonin marrëveshjet e Minskut, që synonin një zgjidhje paqësore të problemeve të Donbasit”, tha Putin.

Putin tha se nuk kishte zgjedhje tjetër përveçse të niste atë që e konsideron operacion special ushtarak në Ukrainë për të mbrojtur Rusinë: “Ukraina po kthehej në një pikëmbështetjeje anti-ruse, filizat e nacionalizmit dhe neonazizmit po rriteshin me kujdes atje, kjo pasi filizat ishin mbjellur prej shumë kohësh. Veçanërisht ishte shtuar neonazizmi dhe përplasja e Rusisë me këto forca ishte e pashmangshme, pasi ata vetëm po zgjidhnin kohën për të sulmuar”.

Putin vlerësoi veprimet e forcave ruse duke thënë se ushtarakët po luftojnë “me guxim dhe me kompetencë” në Ukrainë. Gjithashtu, shtoi se do jetë e pamundur që të izolohet Rusia dhe shtoi se vendi i tij është i gatshëm të bashkëpunojë me të gjithë partnerët që dëshirojnë diçka të tillë dhe se nuk ka asnjë qëllim që ta mbyllë vendin.

Deklaratat e tij erdhën gjatë inspektimit të punimeve në industrinë hapsinore në kozmodromin rus, në Vostoçni. I pranishëm në këtë vizitë ishte dhe Presidenti bjellorus, Aleksandr Lukashenko, ndër aleatët e vetëm që i kanë mbetur liderit të Rusisë.