Brenda balonës kozmike, 600 vetë në radhë për 9 vende për udhëtimin debutues

Përditësuar më: 14/4/2022, ora 22:40

Brenda balonës kozmike, 600 vetë në radhë për 9 vende për udhëtimin debutues

Përditësuar më: 14/4/2022, ora 22:40

Ideja e turizmit hapësinor gjithnjë e më shumë po largohet nga filmat fantastiko-shkencorë dhe po bëhet realitet. Por me fuqizimin e kompanive si SpaceX, Virgin Galactic dhe Blue Origin – të gjitha të mbështetura nga sipërmarrës miliarder – kjo industri premton të jetë një prej përpjekjeve më të mëdha të dekadës së ardhshme.

Në këtë lojë është futur prej disa vitesh edhe një kompani që nuk prodhon anije, por balona kozmike, me të cilën ekziston mundësia për të parë Tokën nga 30 kilometra lartësi.

Kompania amerikane “Space Perspective” ka zbuluar detaje të reja të “tullumbaces” gjigante, duke publikuar pamje nga brenda kabinës në të cilën do të ulen udhëtarët, me dritare 1,5 metra të larta, për të mos humbur asnjë “cep” të hapësirës.

Deri tani, janë shitur më shumë se 600 bileta – secila me një vlerë prej 125 mijë dollarësh – dhe të gjithë shpresojnë të jenë pjesë e udhëtimit debutues, që është llogaritur të kryhet maksimumi në fund të vitit 2024, në Qendrën Hapësinore “Kennedy” në Florida.

Kabina do të ketë vend për 9 persona, piloti dhe 8 udhëtarë. Ajo do të jetë patjetër e pajisur me një bar, një sallë relaksi dhe internet për të dokumentuar “live” aventurën. Udhëtimi zgjat në total 6 orë, 2 për t’u ngjitur, 2 për të shëtitur në hapësirë, dhe 2 orë të tjera për t’u rikthyer në Tokë, duke u përplasur në oqean.

Pavarësisht çmimit tepër të ulët, kur krahasohet me 450 mijë dollarët që kushton një vend te anija e Virgin Galactic, apo 55 milionë dollarët që tre sipërmarrës paguan për t’u ngjitur në anijen kozmike SpaceX, debati qëndron në faktin nëse ky udhëtim, mund të quhet vërtet hapësinor apo jo.

Anija e Virgin Galactic arrin një lartësi prej 75 kilometrash, Blue Origin arrin deri në 100 kilometra lartësi ndërsa anija Dragon e SpaceX futet edhe në thellë në hapësirë. Megjithatë, 30 kilometra janë sërish shumë më lart sesa distanca që arrijnë avionët civilë dhe pamja spektakolare është e garantuar.