Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

Braktisja e bujqësisë, fermeri la punën në fshat për të shkuar emigrant në Gjermani

Nga A2 CNN
15 Prill 2022, 14:51 | Sociale
Braktisja e bujqësisë, fermeri la punën në fshat për

Deri përpara tri javësh, Leonard Çela punonte si fermer në fshatin Samaticë të Beratit. Sot, edhe pse 43 vjeç ai është një nga shumë emigrantët shqiptarë që zgjodhi Gjermaninë për t’u punësuar. Puna në bujqësi, nuk i sillte të njëjtat fitime, ndaj mendon që të qëndrojë gjatë si emigrant.

"Këtej bëj zanatin tim. Pllaka, suvatime, gjëra, meremetime. 1.80 euro është nafta këtej.”, thotë ai.  Po ushqimet? “Njëlloj si në Shqipëri, madje pak më lirë”. Rrogë ditore sa merr? “100 euro, në Shqipëri i merrja për një javë. Me kismet për 2-3 vite nuk kthehem më”, thotë ai.  

Investimin në serra e bëri rreth vitit 2010, atëherë kur puna në Greqi si emigrant i kishte siguruar disa të ardhura.

“Serrat po bëj 10-12 vite që i kam bërë, edhe sa vinte e poshtë bënte puna. Pata 3 (dynym), mora kredi e bëra e dy të tjera, po ato nuk po shkojnë. Me shitjen kishim problem të gjithë. E marrin pa çmim mallin ata, s’të japin, të japin një faturë të verdhë. Pas një jave prit sa të japi ai. Nuk shkon, me 20-30 lekë”, tregon fermeri për A2 CNN.  

Pas ka lënë familjen, për të cilën mendon ta marrë në Gjermani shumë shpejt. “Kam lënë gruan, fëmijët, ata po merren tani me serrat. Po dolën mirë që të lajnë veten, shpenzimet, në rregull do i mbjellim prapë. Po s’i lanë, do t’i lënë fare, do t’i marr këtej”, thotë Leonardi.

Çdo ditë sheh sesi në qytetin Speyer ku po jeton, dhjetëra të rinj shqiptarë zbresin nga autobusët në kërkim të një jete më të mirë.

 “Përditë, autobusët plot me shqiptarë. Shpërndahen nëpër qytet, kanë vendet e tyre kush u ka siguruar punë. Leja del 3-mujorshe si fillim, pastaj e ripërtërin këtu. Shkon te zyra e punës e shtyn 6 muaj, 1 vit, pastaj merr të përkohshmen”, shton fermeri.

Teksa po synohet që vëmendja të kthehet nga bujqësia, qeveria ka ndërmarrë në mbështetje të fermerëve deri tani 3.2 miliardë lekë subvencione nëpërmjet skemës kombëtare, fonde për skemën e naftës pa taksa, si dhe lehtësimin e procedurave të marrjes së granteve dhe kredive të buta nga fondet e BERZH dhe IPARD.

A2 CNN Livestream

Dita jonë