“Zbatova ligjin”, Lefter Koka jep 4 orë shpjegime në SPAK

Përditësuar më: 15/4/2022, ora 16:45

“Zbatova ligjin”, Lefter Koka jep 4 orë shpjegime në SPAK

Përditësuar më: 15/4/2022, ora 16:45

Pesë muaj pasi u prangos nga hetimet e SPAK për inceneratorët, Lefter Koka dha për herë të parë shpjegime të hollësishme mbi akuzat e ngritur kundër tij.

Pas orës 10:00 të se premtes, në një zyrë në katin e nëndheshëm të SPAK, Koka qëndroi për 4 orë para dy oficerëve të Byrosë Kombëtare të hetimit, të cilët e pyetën mbi inceneratorin e Fierit.

Në prani edhe të avokatëve të tij, ish-zyrtari më i lartë shtetëror i arrestuar deri më tani për inceneratorët, ai shfajësoi vetën për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, “korrupsionit” dhe “pastrimit të parave”. “Nuk kam shpërdoruar detyrën në asnjë moment, mësohet të jetë shprehur ish-ministri.

Në lidhjen e kontratës koncensionare kam zbatuar procedurën dhe të gjitha kërkesat ligjore” Për shpronësimin e truallit ku u ndërtua inceneratori, Koka, pretendoi se procesi ishte kryer nga një komision i posaçëm. Për pretendimin e SPAK, se Koka dhe ish-vartësi i tij Alqi Bllako kanë paraqitur në qeveri një status të rremë juridik të tokës, ish-ministri tha se toka është trajtuar si “tokë arë” dhe jo “tokë truall”, si thotë SPAK, pasi në rast të tillë çmimi i shpronësimit do të ishte 6 herë më i lartë.

Sipas burimeve, pyetjes se përse oferta për inceneratorin nuk ishte publikuar në Fletoren Zyrtare të Bashkimit Europian, Koka pohoi se rasti nuk parashikohej në ligj. Në të njëjtën linjë ish-ministri ka zhveshur veten dhe për akuzën e “korrupsionit” apo “pastrimit të parave”. Burimet pohuan se para agjentëve të BKH, Koka tha se nuk kishte asnjë ndikim apo kontroll mbi shoqëritë tregtare, që kanë marrë para për punime në incenerator.

Për të njëjtën çështje, të enjten dha shpjegime në SPAK, ish-deputeti i arrestuar Alqi Bllako, i cili po ashtu, mohoi çdo akuzë.