Bjellorusët që duan të luftojnë kundër Putin: Nëse Ukraina fiton, edhe ne kemi një shans

Publikuar më: 16/4/2022, ora 13:08

Bjellorusët që duan të luftojnë kundër Putin: Nëse Ukraina fiton, edhe ne kemi një shans

Publikuar më: 16/4/2022, ora 13:08

Në një pyll në kufirin mes Polonisë dhe Ukrainës, një grup me rreth 30 burra, të veshur me uniforma ushtarake, po stërviten prej disa ditësh për të perfeksionuar taktikat e betejës.

Ata janë të gjithë shtetas bjellorusë, që jetojnë në ekzil, dhe që duan të kalojnë kufirin për në Ukrainë, ku qindra bashkëkombës të tyre po luftojnë kundër rusëve. Sipas tyre, kjo bëhet jo vetëm për Ukrainën, por edhe për të çliruar vendin e tyre nga dara e Vladimir Putin.

Anëtarët e grupit të quajtur “Pohonia Battalion” janë të moshës 19 deri në 60 vjeç. Thuajse asnjëri nuk ka përvojë në luftime dhe për këtë arsye, stërvitjen e kryejnë me kallashnikov lodër. Mes tyre ka lojtarë profesionistë pokeri, muzikantë dhe elektricistë.

Lideri i tyre është menaxheri i restoranteve, Vadim Prokopiev. “Unë nisa thirrjen që bjellorusët t’i bashkohen luftës në krah të Ukrainës. Sepse pas kësaj do të vijë lufta për Bjellorusinë”, thotë ai për CNN.

Shumica e anëtarëve të grupit, sikurse edhe Prokopiev, janë larguar nga vendi i tyre në vitin 2020, kur Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, i mbështetur nga aleati i tij Putin, shtypi protestat pasi fitoi zgjedhjet, që u kontestuan nga opozita.

“Nëse Ukraina e humbet luftën, Bjellorusia ka zero shanse për t’u çliruar”, thotë Prokopiev. “Nëse Ukraina fiton, atëherë Putin do të jetë dobësuar shumë se nuk do të mbështesë dot Lukashenkon”.