Zgjedhjet në bazë, anëtarësia e demokratëve voton për kryetarët e degëve
Demokratët iu drejtuan kutive të votimit në 18 degë për të zgjedhur kryetarët lokalë të partisë ku aderojnë. Mes qyteteve të mëdha ku u votua këtë të diel janë Gjirokastra dhe Vlora. Pikërisht nga qyteti bregdetar, kryetari aktual Genc Deromemaj, ka preferuar të mos kandidojë përsëri, por në emër të Komisionit të Rithemelimit, nënvizon risinë e këtij procesi.
“Me vullnetin e lirë me parimin; një anëtar, një votë për herë të parë të gjithë anëtarët e PD në Vlorë kanë mundësinë të zgjedhin kryetarin e tyre të ardhshëm”.
Po kush ka të drejtë të marrë pjesë në këto zgjedhje?
“E kanë 1400 anëtarë të PD, por në thelb, jo vetëm anëtarë që kanë emrin, por të gjithë ata që kanë teserat e anëtarësimit kanë të drejtë të shprehin të drejtën e votës”, tha Deromemaj.
Në Kukës, pakënaqësitë me listën e votuesve sollën tërheqjen nga gara të kandidatit Irel Elezi.
“Kam parë që në listën e zgjedhësve janë mbi 200 emra të rinj dhe shumë demokratë që kanë kontribut 30 vjeçare ne PD nuk janë në listën e sjellë nga Tirana. Kam kërkuar sipas normave dhe statutit të partisë regjistrin e anëtarësimit të këtyre emrave të rinj. E kam kërkuar në fillim të procesit për të parë nëse gjithçka është konform statutit. Nuk më kanë vënë në dispozicion lista dhe kanë refuzuar sqarimet. Kërkesa ime është marrë parasysh vetëm pasi jam tërhequr nga gara. Emri im nuk duhet të figurojë më në listë. E konsideroj procesin të manipuluar”, u shpreh Elezi.
Kandidati tjetër, i mbetur i vetëm në garë, Admir Sinamati, pranoi problemet me listat.
“Është e vërtetë që listat kanë probleme, largimi i Lulzim Bashës përveç të tjerave ka edhe probleme ngërçi lidhur me mosdhënien e listës së plotë të PD”. Disa degë të tjera i zhvilluan votimet gjatë ditës së shtunë, si në Elbasan, ku kryetar i PD u zgjodh Blendi Himçi me 66% të votave