Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

OKB-ja dhe premtimi më i madh i thyer në histori

Nga A2 CNN
18 Prill 2022, 12:47 | Bota

Vite më parë, hebrenjtë në qytetin perëndimor të Ukrainës, Lviv, vuajtën pasojat e një gjenocidi. Njerëzit që adhuronin në sinagogën "Golden Rose" ose u internuan, ose u vranë. Duket se ky vend nuk ka shpëtim nga historia që reflektohet në gurët përkujtimorë për të vdekurit dhe në zbrazëtinë e lënë nga një brez i vrarë. Por veç kësaj, fatkeqësisht, e tashmja po përplaset sërish me këtë të kaluar të trishtë.

Refugjatë që kalojnë nëpër të njëjtat rrugë me kalldrëm ku në verën e vitit 1941, gjermanët dhe bashkëpunëtorët e tyre ukrainas i ndoqën hebrenjtë deri në vdekje. Fotot e atyre ditëve janë disa nga më të tmerrshmet e Holokaustit, gra të zhveshura dhe të rrahura përpara turmave. Ne nuk jemi në mes të një lufte të re botërore, apo të një holokausti, por mësimet nga ai konflikt i tmerrshëm dhe premtimet e bëra pas tij, marrin sot një vlerë edhe më të madhe.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, kur iu drejtua Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, i kujtoi audiencës se OKB-ja ishte krijuar në vitin 1945 për të garantuar paqen pas tmerreve të Luftës së Dytë Botërore. Duke renditur akuzat për krime lufte nga trupat ruse në Ukrainë, vrasjet, torturat dhe përdhunimet, ai bëri thirrje që këshilli të urdhërojë një hetim për krimet e luftës.

“A jeni gati të mbyllni OKB-në? A mendoni se koha e ligjit ndërkombëtar ka ikur? Nëse përgjigjja juaj është jo, atëherë duhet të veproni menjëherë."

Volodymyr Zelensky
"Rusia po e kthen të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, në të drejtë për të vrarë" - i tha presidenti Volodymyr Zelensky Këshillit, më 4 prill

Lviv është një qytet që na kujton më të keqen e njerëzimit, por edhe atë që mund të bëhet për të na mbrojtur nga pasojat e agresionit. Pesë minuta në perëndim nga rrënojat e sinagogës së Lvivit, gjendet një ndërtesë dykatëshe, që ishte djepi i legjislacionit më të rëndësishëm në botë për të drejtat e njeriut. Fakulteti juridik i Universitetit të Lviv konsiderohet një “alma mater” i Raphael Lemkin, i cili shpiku fjalën gjenocid për të përshkruar përpjekjen e shfarosjes "në tërësi ose pjesërisht" të një grupi kombëtar, fetar ose racor. I tmerruar nga Holokausti nazist, Lemkin e shpiku termin në vitin 1944 dhe, katër vjet më vonë, ia doli që OKB-ja ta përcaktonte gjenocidin si krim, sipas ligjit ndërkombëtar.

Studenti i tij, Hersch Lauterpacht, dha gjithashtu kontributin e vet në përforcimin e konceptit ligjor të krimeve kundër njerëzimit, që u përdor për herë të parë për të ndjekur penalisht udhëheqësit nazistë në gjyqet e Nurembergut në vitet 1945-1946. Të dy studiuesit ishin hebrenj dhe studionin në Lviv në dekadat e para të shekullit të 20-të. 

Getoja hebreje e Lviv, e krijuar nga nazistët, gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur pothuajse të gjithë hebrenjtë e qytetit u vranë

Lviv, më parë, quhej Lemberg dhe ishte një qytet i Perandorisë Austro-Hungareze, shtëpia e një përzierjeje kozmopolite të polakëve, ukrainasve, rusëve dhe kombësive të tjera nga e gjithë perandoria. Lufta e Parë Botërore shkatërroi Austro-Hungarinë dhe solli një epokë paqëndrueshmërie ndërsa polakët, ukrainasit, Bashkimi Sovjetik dhe Gjermania naziste, luftuan për kontrollin e qytetit. Shumica e popullsisë së mbetur hebreje u zhduk në Holokaust, mes tyre edhe të afërmit e Lemkin dhe Lauterpacht.

Në fund të Luftës së Dytë Botërore, Lviv ra nën sundimin e Bashkimit Sovjetik, aty ku edhe mbeti deri në rënien e komunizmit dhe krijimin e një Ukrainë të pavarur në vitin 1991. Tani, Lviv e gjen veten edhe një herë në qendër të një traume të madhe historike.

Sipas statistikave më të fundit të OKB-së, mbledhur para pushtimit rus të Ukrainës, 84 milionë njerëz janë zhvendosur me forcë në mbarë botën. Shifrat pasqyrojnë një rend ndërkombëtar në krizë me një OKB të paaftë për të parandaluar vrasjen dhe abuzimin e civilëve në shumë rajone të botës. Për të kuptuar se si kemi ardhur në këtë pikë, është e nevojshme të kthehemi në një nga krimet më të tmerrshme të epokës sonë moderne.

Gjithçka ndodhi në Ruandë - gjenocidi, krimet kundër njerëzimit dhe përdhunimi masiv u përdorën si një armë lufte. Në fund të pranverës së vitit 1994, u raportua se ky vend i vogël i Afrikës, ishte kthyer në një varrezë të madhe masive. Gjithashtu, kufoma të shumta gjendeshin nëpër brigjet e lumenjve apo nëpër kisha. Në harkun kohor prej 100 ditësh, deri në 800 000 njerëz vlerësohet të jenë vrarë në gjenocidin e Ruandës. Ajo gjithashtu shkaktoi një nga krizat më të këqija të refugjatëve. Tragjedia e Ruandës ndodhi sepse një elitë e mbushur me urrejtje vendosi që zgjidhja e problemeve të vendit ishte shfarosja e pakicës etnike Tutsi. Fuqitë e mëdha e braktisën Ruandën në fatin e saj. Ndryshe nga Ukraina tani, Ruanda ishte një vend me pak rëndësi gjeopolitike. 

Refugjatët në një vendkalim kufitar midis Ruandës dhe Zaire (tani Republika Demokratike e Kongos)
Kafkat e viktimave të gjenocidit u rreshtuan jashtë një kishe në Ruandë, nëntor 1994

Në korrik 1995, një vit pas përfundimit të gjenocidit të Ruandës, forcat serbe të Bosnjës nën gjeneralin Ratko Mlladiç vranë 8000 burra dhe djem myslimanë kur pushtuan qytetin e Srebrenicës. Ndodhi nën sytë e paqeruajtësve holandezë të OKB-së. U krijuan gjykata për të gjykuar të akuzuarit e Ruandës dhe ish-Jugosllavisë. Kishte gjithashtu gjykata për të akuzuarit për vrasje masive në Kamboxhia dhe Sierra Leone. Operacione ushtarake të OKB-së dhe forcat e NATO-s, ndërhynë për t'i dhënë fund dëbimit të shqiptarëve në Kosovë. 

Bota vendosi të krijojë një gjykatë të përhershme për të gjykuar rastet e gjenocidit dhe krimeve kundër njerëzimit. Gjykata Ndërkombëtare Penale u krijua në vitin 1998 për të gjykuar rastet më të rënda të shkeljeve të të drejtave të njeriut. Nuk është pjesë e OKB-së, por është krijuar nga anëtarët e OKB-së dhe punon ngushtë me organizatën.

Refugjatë nga Srebrenica, korrik 1995
Emigrime masive, Kosovë, 1999

Në vitin 2009, në një moment historik, presidenti Omar al-Bashir i Sudanit, u bë kreu i parë në detyrë që u padit për gjenocid nga GJNP, për vrasjen e civilëve në Darfur. Por ka pasur një problem që e lë në hije debatin aktual rreth krimeve të luftës në Ukrainë. As SHBA-ja, Kina apo Rusia nuk e ratifikuan Statutin e Romës, traktati që themeloi gjykatën. Kjo do të thotë se tri fuqitë më të mëdha ushtarake nuk i nënshtrohen juridiksionit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale.

Nga ana tjetër, çdo komb ka të drejtën e vetos. Kjo do të thotë se Gjykata Ndërkombëtare Penale do të ishte e pafuqishme nëse do të donte të padiste presidentin Putin dhe gjeneralët e tij të lartë për krime lufte. Vlen të kujtohet se çfarë ndodhi kur gjykata u përpoq të hetonte krimet e supozuara të luftës nga të gjitha palët në Afganistan. Administrata Trump shkoi aq larg sa vendosi sanksione ndaj kryeprokurorit të GJNP-së për të sinjalizuar kundërshtimin e saj ndaj çdo ndjekjeje gjyqësore të forcave amerikane. Në rajonin autonom të Kinës, Xinjiang, një përpjekje për të hetuar zyrtarët kinezë për gjenocidin e supozuar kundër ujgurëve dështoi, sepse Kina nuk ishte anëtare e GJNP-së.

Ushtarët amerikanë në një fshat të djegur gjatë Luftës së Vietnamit, rreth 1965

Në realitet, nuk ka pasur kurrë një epokë të artë të paqes së pasluftës të udhëhequr nga diplomacia ndërkombëtare. Fuqitë e mëdha nuk kanë luftuar në një konflikt bërthamor apokaliptik, por miliona kanë vdekur në luftëra të mëdha dhe të vogla - në Kore, Algjeri, Kongo, Kamboxhia, Vietnam, Algjeri, Indonezi, Angola, Etiopi, Afganistan, Irak, Siri, Libi dhe shumë fushëbeteja të tjera. Disa nga ato luftëra kanë qenë pjesërisht konflikte ndërmjet superfuqive. Më shumë se 4000 paqeruajtës të OKB-së kanë humbur jetën në zona të ndryshme konflikti, duke u përpjekur të mbrojnë civilët dhe të veprojnë si ndërmjetëse midis palëve ndërluftuese.

Kohët e fundit ka pasur shenja ndryshimi në OKB. Asambleja e Përgjithshme, organi i përbërë nga të 193 anëtarët e OKB-së dënoi pushtimin e Ukrainës dhe votoi për të hequr Rusinë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut. OKB-ja është kritikuar prej kohësh për përfaqësimin vetëm të superfuqive që mbizotëruan në fund të Luftës së Dytë Botërore. Kështu Afrika, nën-kontinenti Indian apo Amerika Latine, nuk janë të përfaqësuara.

Në mesin e vitit 1945, delegatë nga 50 vende u takuan në San Francisko për të rënë dakord për Kartën e OKB-s. Pikërisht aty, Sir Anthony Eden, i cili drejtonte delegacionin britanik, mësoi për vdekjen e Adolf Hitlerit

Në qendër të premtimit të bërë në Kartën e OKB-së, ishte ideja se vendet duhet të punojnë së bashku për të shmangur luftën. Nëse do të shpërthente konflikti i armatosur, ata do të dërgonin forca në përpjekje për të ruajtur paqen dhe bota do të siguronte që abuzimet të ndiqeshin penalisht, si për hir të drejtësisë ashtu edhe për të penguar krimet e ardhshme. Është e mundur që kriza në Ukrainë të bëhet një nga ato momente ku konfliktet japin mundësi për reflektim dhe ndryshim.   

https://a2news.com/2022/04/05/cfare-konsiderohet-krim-lufte-dhe-a-do-te-ndiqen-penalisht-pushtuesit-ruse/
https://a2news.com/2022/04/13/a-po-i-sulmon-rusia-qellimisht-civilet/

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani