Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Masat “peng” i vaksinës, Manastirliu: Nuk hiqen kufizimet pa u rritur vaksinimet

Nga A2 CNN
20 Prill 2022, 15:10 | Aktualitet
Masat “peng” i vaksinës, Manastirliu: Nuk hiqen kufizimet pa u

Pandemisë së koronavirusit po i afrohet fundi, por heqja zyrtare e masave anti-covid duket ende e largët.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, konfirmon për A2 CNN se kufizimet do të varen nga shifrat e vaksinimit.

“Edhe vendet e tjera që kanë marrë masat për eliminimin e të gjitha kufizimeve, janë vende që kanë një përqindje shumë të lartë të vaksinimit, mbi 80%-90%. Prandaj, ne duhet të vijojmë të vaksinohemi”, tha Manastirliu.

Mbajtja e maskës në ambiente të mbyllura është një nga kufizimet që ka lënë në fuqi komiteti i Ekspertëve. Në fakt, ajo është vetëm një masë në letër, pasi maska prej kohësh nuk mbahet më, jo vetëm nga qytetarët, por edhe nga të zgjedhurit e tyre në parlament.

Pamjet nga aktivitetet e përditshme të politikës, të qeverisë apo të opozitës tregojnë se i jemi kthyer jetës së dikurshme. Askush prej deputetëve nuk e mban më maskën, distancën jo e jo. Por, ende nuk ka një vendim dhe për certifikatën e vaksinimit në prag te sezonit turistik, kufizim që disa shtete tashmë e kanë hequr për t'i dhënë prioritete turizmit dhe ekonomisë. “Ne vlerësojmë se ky vendim duhet të merret në mënyrë shumë të kujdesshme, pasi duhet të themi që mbrojtja e shëndetit të qytetarëve është e para. Vaksinimi është kyç edhe për heqjen e masave”, tha ministrja.

Me uljen e infektimeve ditore, gjithnjë e më pak qytetarë po i drejtohen vaksinës anti-covid. Shqipëria vijon të ketë shifra të ulëta të mbulesës vaksinale, vetëm 60% e popullsisë mbi 16 vjeç ka marrë dozën e parë. Ndërsa doza e tretë është kryer nga vetëm 12% e popullsisë target.

Komiteti i Ekspertëve po diskuton dozën e katërt për kategoritë e riskut, por as kjo nismë duket se nuk do të rritë shifrat e të vaksinuarve në popullsi. Nëse Ministria e Shëndetësisë do të mbajë peng masat për vaksinimin, Komiteti i Ekspertëve do të vijojë të shpallë vendime, që përtej kësaj tryeze, as prej tyre nuk po zbatohen më.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani