Pingpongu, një sport i harruar nga çdo institucion

Përditësuar më: 23/4/2022, ora 14:01

Pingpongu, një sport i harruar nga çdo institucion

Përditësuar më: 23/4/2022, ora 14:01

Pingpong një sport i ringjallur në Shqipëri, por i harruar nga çdo institucion. Për herë të parë në  vendin tonë, pingpongu erdhi në vitet 70-80 ku shumë vajza e djem të rinj kërkonin ta mësonin dhe të bëheshin pjesë e kësaj loje.

Që nga ajo kohë e deri më sot, pingpongu ka nxjerrë shumë kampione që kanë përfaqësuar ngjyrat kuqezi dhe në evente mbarë botërore, përmendim këtu Elda Gjokën, kampione absolute Shqipërie që nga viti 1987.

Edhe sot ky sport, ndonëse për një kohë të gjatë i harruar vijon të praktikohet nga qindra sportistë pa dallim moshe, gjinie apo krahine.

Në aktivitetin më të rëndësishëm të sezonit, kampionati kombëtar individual, të gjithë dukeshin se kishin nga pak emocione, fëmijë apo të rritur ndërsa prisnin për të dëgjuar emrin e tyre. Për vajzat durrsake flasin të gjithë në sallë. Samanda Agolli dhe Liridona Rexhaj janë dy sportistet e pingpongut që premtojnë shumë për të ardhmen, jo vetëm në kampionatet kombëtare por edhe ato ndërkombëtare.

Në një intervistë për A2 CNN, Agolli tregoi se prej 8 vitesh stërvitet fort që të arrij majat dhe sot është kampione kombëtare për të gjitha moshat.

Samanda Agolli, kampione e Shqipërisë

“Pasioni për pingpongun ka nisur rastësish, bashkë me motrën time. Si çdo sport që ka mbështetje financiare, edhe ne kërkojmë të kemi ambiente të përshtatshme për stërvitje”, thotë Samanda.  

Edhe pse vetëm 16-vjeç , synimet për vajzën durrsake janë maksimale, ndërsa thekson se do e vazhdojë këtë sport sa të jetë e mundur.

“Të gjitha objektivat tona janë për jashtë, për kampionate ballkanike dhe europiane. Nuk e shoh si profesion, por që do të vazhdoj deri në moshë madhore, e sigurt”, thotë kampionia e re.  

Shkathtësia, lëvizjet e duarve , përqendrimi dhe serioziteti tregojnë qartë pasionin e tyre për pingpongun. Edhe Liridona Rexhaj, sportistja tjetër e Teutës e cila për 6 vite radhazi ka dal kampione e Shqipërisë, nuk i fsheh aspak ambiciet e saj. Vajza 22-vjeçare tregoi se mbështetja që ato kanë lë shumë për të dëshiruar ndërsa bën dhe një krahasim me Kosovën.

Liridona Rexhaj, sportistja e Teutës e cila për 6 vite radhazi ka dal kampione e Shqipërisë

“Objektivi im është që këtij sporti t’i përmendet emri. Profesion i parë nuk mund të themi se do të bëhet, sepse pingpongu këtu nuk ka shumë ta ardhme, por si punë të dytë, si trajnerë do të ishte shumë mirë. Në Kosovë mblidhen çdo javë, dhe ashtu sportisti rritet, grumbullimet tona janë më të rralla”, tregon Rexhaj.

Edhe zëvendës trajneri i tyre, Zhak Çezari, njëkohësisht dhe ish-kampion vend u shpreh se të gjithë presin shumë nga vajzat durrsake. Puna e palodhur dhe cilësitë e jashtëzakonshme që ato kanë mund të sjellin trofe në Shqipëri.

Me synimin e vetëm për të fituar, sportistët mundohen të fshijnë çdo gjë tjetër përreth dhe fokusi i tyre të jete vetëm në garë. Dritan Laska, veteran në këtë sport si dhe kampion kombëtar për shumë vite, tregoi se pingpongu mbetet i harruar nga çdo institucion dhe pasioni është ai që e mban akoma gjallë.

“Është një sport që kemi filluar qysh 10-vjeç, mundohemi ta transmetojmë brezave të tjerë. Gjërat do të ndryshojnë vetëm me aprovimin e ligjit e sportit dhe sponsorizimet, kur nga ai fond të mund të vejmë një pagë për sportistët”, thotë ai per A2 CNN. Laska trajnon dhe brezin e ri në pingpong dhe thekson se cilësia po rritet çdo vit por stimuli që ata të ecin përpara mungon.

Dritan Laska, veteran i pingpongut në Shqipëri

Një nga nxënësit e tij është dhe Arion Koni , një djalë 13 vjeç i cili së bashku me Albion Lamen, 11-vjeç do të përfaqësojnë Shqipërinë tek Ballkaniku dhe Europiani.

Synimet janë të larta por siç tregojnë ata me punë mund të arrihet gjithçka. Mes të tjerash ka dhe nga ata që i janë rikthyer këtij sporti si Argen Gjeçi, 15-vjeçari tregon përfitimet që merr kur luan pingpong.

Buxheti i dedikuar pingpongut këtë vit ka rënë me afro 30% . Sipas sekretarit të përgjithshëm të Federatës shqiptare të pingpongut, Tonin Binoshi, sportistët kalojnë shumë vështirësi ndërsa i bëri thirrje institucioneve të kthejnë kokën nga ky sport.  

Sekretari i Përgjithshëm i Federatës shqiptare të pingpongut, Tonin Binoshi

Këta ishin të apasionuarit e Ping Pong në Shqipëri, një sport i bukur, i vështirë dhe ku vetëm me vullnet mund të arrish përpara. Thirrja e tyre është një dhe e vetme , t’i kushtohet më shumë rëndësi në mënyrë që ngjyrat kuqezi të ngrihen lart dhe në eventet europiane.