Një daltë e një copë gur, mjeshtri që ruan traditën dhe ushqen familjen

Publikuar më: 27/4/2022, ora 13:22

Një daltë e një copë gur, mjeshtri që ruan traditën dhe ushqen familjen

Publikuar më: 27/4/2022, ora 13:22

Zhurma e daltës mbi gur prej katër brezash ushqen familjen Makri në Gjirokastër. E ku tjetër përveçse në qytetin e gurtë, mund të mbahej gjallë kjo traditë e gurgdhendjes.

Fredi Makrin e gjen te porta e kalasë, ku çdo ditë prej 15 vitesh vijon traditën e familjes, që siç thotë ai e ka të trashëguar që nga gjyshi.

 “E kemi pasur traditë qysh nga gjyshi, që ka lindur në 1908. Ai vinte një mollë në tavolinë, dhe na bënte ta vizatonim..”, thotë ai.  

E ndërsa në kohën e monizmit, familjes Makri nuk i lejohej të shiste punimet në gur, tani Fredi siguron të ardhurat e familjes së tij me këtë punë, e cila vlerësohet shumë sidomos nga turistët e huaj.

Disa nga veprat e Fredi Makrit

“I shiste plaka në atë kohë, në fabrikën e duhanit, 250 lekë. Me këtë punë mund të ushqejmë familjen, veprat e mia janë kudo në botë, vetëm në hënë nuk ka”, vijon Fredi.  

 Dhe me sa duket kjo traditë ka hedhur baza të shëndosha në këtë familje, pasi Fredi shprehet besimplotë që edhe nipërit e tij do ta vazhdojnë gurgdhendjen dhe se provat për këtë janë dhënë.

“Kam dy nipër, 3, 7, 12 vjeç, edhe ato në këtë rrugë janë…”, rrëfen gurgdhendësi.  

Mjafton të ketë turistë që vizitojnë Gjirokastrën, pasi punimet e Fredit tërheqin si me magnet vizitorët, që përveç karakteristikave të qytetit muze, gjejnë edhe suvenire të punuara me mjeshtëri në gur.