Çështjet aktive në arbitrazh, ja gjyqet e papërfunduara të Shqipërisë

Përditësuar më: 29/4/2022, ora 17:18
Hearing in session 4 1080x720

Çështjet aktive në arbitrazh, ja gjyqet e papërfunduara të Shqipërisë

Përditësuar më: 29/4/2022, ora 17:18

Në ciklin e dokumentarëve “Zbulo”, A2 CNN bëri një përllogaritje të kostove procedurale që ka një çështje arbitrazhi. Por fatura reale rritet për çdo padi të re kundër Shqipërisë, apo për çdo çështje që vijon kalvarin me ankimimet, kërkesat për anulim, kërkesat për pezullimin e vendimeve, etj.

Sipas të dhënave të ICSID, Qendrës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve për Investimet, rezultojnë aktive 4 çështje. 

E para është ajo e Arka Energy që ka të bëjë me parkun fotovoltaik të Akërnisë, çështje që do të shkojë në favor të shtetit shqiptar, por aktualisht procedura rezulton e pezulluar për shkak të mospagesës nga ana e kompanisë paditëse.

E dyta ka të bëjë me Durrës Kurum Shipping, por terminalin e mallrave në Portin e Durrësit. Informacioni i fundit që ofron ICSID daton më 4 Mars 2022, ku përcaktohet kalendari procedurial, pra është një çështje që do të vazhdojë të shqyrtohet.

Çështjet shqiptare në arbitrazh

E treta është një çështje që ka mbetur e ngrirë prej vitit 2016, Xenofon Karagiannis kundër Shqipërisë, për një projekt ndërtimi për një terminal çimentoje.

E katërta është ajo Albaniabeg Ambient, e mbyllur zyrtarisht në favor të Shqipërisë më 14 Prill 2022, por në status pritjeje në rast të një kërkese të re nga paditësi.

Nga ana tjetër, në raportin e paraqitur para Kuvendit, Kontrolli i Lartë i Shtetit informon mbi një çështje arbitrazhi në SCAI, Qendrën Zvicerane për Arbitrazh, të regjistruar nga Energy Financing Team AG kundër OSHEE, për një dëm të kërkuar në 8.3 milionë euro dhe 901 mijë franga zvicerane.

Ndërsa në Gjykatën e Përhershme të Arbitrazhit PCA, është regjistruar prej 2018 një çështje “ Valeria Italia” kundër Shqipërisë, në fushën e bujqësisë, që pret ende një vendim.

Këtë janë vetëm çështjet që bëhen publike, pasi në mjaft raste palët zgjedhin të ruajnë “sekretin”, duke mos publikuar as emrat dhe as detajet e padisë. Për të gjithë këto çështje aktive apo pezull, Shqipëria është e detyruar të paguajë së paku kostot e përfaqësimit ligjor.

Eficenca e ulët e institucioneve në gjyqet e arbitrazhit shtrihet në disa drejtime. Ndonëse shteti ka të drejtën të kërkojë kompensimin e kostove proceduriale dhe përfaqësimit me avokatë, në rastet kur shpallet jofajtor, një raport i Avokaturës së Shtetit evidenton paaftësinë për të rikuperuar kostot e majme të proceseve. Të tilla probleme u evidentuan edhe në reportazhin e titulluar “Kostot e fshehura të arbitrazhit” në bashkëpunim me Investigative Network Albania, me mbështetjen financiare të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Përmbajtja e saj është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërish pikëpamjet e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe të Partnerëve.